Shqipëria Postuar më 17 September 2026, 12:37

Qeveria frenon huamarrjen - Gjysma e dytë e vitit, me më pak mundësi për të investuar në tituj qeveritarë

Nga Ledina Elezi

how-to-get-a-business-loan-with-bad-credit

Qeveria po merr më pak borxh të brendshëm gjatë muajve të fundit të këtij viti. Nevoja për të financuar buxhetin përmes shitjes së titujve qeveritarë, ka ardhur duke u pakësuar që nga fillimi i vitit.

Si rezultat i kësaj, edhe bankat, fondet apo investitorë të tjerë, do të kenë më pak mundësi për të investuar në letra me vlerë të qeverisë. Në janar-mars, Ministria e Financave ka emetuar 134 miliardë lekë bono thesari dhe obligacione, në tremujorin e dytë rreth 95 miliardë lekë, në periudhën korrik-shtator llogariteshin 79.5 miliardë lekë emetime, ndërsa në tremujorin e fundit parashikohet një rritje e lehtë e shitjes të titujve qeveritarë në vlerën 87 miliardë lekë.

Në 3 muajt e mbetur të këtij viti, tetori rezulton të ketë vlerën më të lartë të emetimeve prej 38.5 miliardë lekësh, ndërsa dhjetori më të ultën. Në total, do të zhvillohen 24 ankande. 

Lloji më i përdorur i instrumentit janë obligacionet. Shumica e ankandeve do të zhvillohen për rihapje obligacionesh, ndërsa bonot e thesarit 3, 6 dhe 12 mujore përbëjnë vetëm 40% të totalit të emetimeve. E thënë me fjalë të tjera, 35 miliardë lekë. 

Titujt qeveritarë janë instrumente financiare ku qytetarët ose investitorët i japin hua shtetit për një periudhë të caktuar dhe në këmbim marrin interes. Në përfundim të afatit, atyre u kthehet edhe shuma e investuar.

Për qytetarin e zakonshëm, zgjedhja varet nga qëllimi i investimit. Ata që duan t’i mbajnë paratë të investuara për pak muaj mund të zgjedhin bonot e thesarit, ndërsa ata që kërkojnë një kthim më afatgjatë mund të orientohen drejt obligacioneve.

Investimi në tituj qeveritarë konsiderohet një alternativë me rrezik të ulët, pasi lidhet me borxhin e shtetit, por si çdo investim edhe këto instrumente kanë kushte dhe afate që duhen parë me kujdes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat