Shqipëria Postuar më 17 September 2026, 12:00

Zgjidhje për objektet pa pronar? - Certifikata pronësie për oborret në përdorim

Nga Elisabeta Dosku

prona shtepi1.jpg

Vendimi qeverisë që synon të pajisë me dokumentacion objektet dhe trojet pa titull pronësie, i jep zgjidhje edhe rasteve komplekse, si dhe oborreve në përdorim 

Konkretisht, sipas vendimit në rastet kur nga verifikimi në terren nuk është arritur të identifikohet subjekti posedues, Agjencia Shtetërore e Kadastrës,  bën publik informacionin në ambientet e njësisë administrative, drejtorisë vendore të ASHK-së dhe në faqen zyrtare të ASHK-së për një periudhë 30  ditore. Në rast se gjatë publikimit paraqitet subjekti pretendues, ASHK-ja vijon procedurat administrative në emër të subjektit për të cilin evidentohet posedimi në terren mbi pasuritë, objekt i këtij vendimi.

Në rast të paraqitjes së subjektit pas përfundimit të afatit të publikimit, atij i lind e drejta të paraqesë kërkesë, përmes platformës “e-Albania”. 

Vendimi i qeverisë përcakton se i veprohet në rastet kur poseduesi nuk ka titull pronësie për sipërfaqen e tokës, por ka titull të regjistruar apo të regjistrueshëm sipas Kodit Civil dhe legjislacionit për kadastrën, për ndërtimin që është ngritur mbi të.

Si rregull, në këtë rast i nënshtrohet procedurave të këtij sipërfaqja e tokës që është në pronësi shtetërore, me pronar të pavërtetuar ose për të nuk ka informacion mbi pronësinë, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe pavarësisht nëse është vendosur ose jo shënimi “oborr në përdorim”.

Konsiderohen si pa titull pronësie edhe rastet e tokës kur për to nuk ka dokument të fitimit të pronësisë edhe nëse figuron i regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme si pronë private ose me pronar të pavërtetuar. Këtu bëjnë pjesë edhe ndërtimet: për të cilat është miratuar vendim gjyqësor për vërtetimin e faktit të pronësisë, i cili nuk është regjistruar përpara datës 1.11.1994; ose që janë pjesë e listës së trojeve sipas vendimit nr. 432, datë 14.8.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit” por nuk janë regjistruar më parë; ose  dokumenti i fitimit të pronësisë së të cilëve ka mangësi që e bëjnë atë të paregjistrueshëm, është regjistruar më parë në kundërshtim me legjislacionin e kohës apo problematika që e shoqëron, nuk gjen trajtim në bazë të akteve ligjore ose nënligjore të tjera.

Gjithashtu, është objekt kalimi në pronësi edhe kur oborri në përdorim është në pronësi private të të tretëve ose është transferuar te njësitë e vetëqeverisjes vendore. 

Drejtoria vendore e ASHK-së kalon pronësinë për oborrin në përdorim deri në 300 m2 me kusht që të posedohet efektivisht në terren nga subjekti, vërtetuar në momentin e evidentimit në terren nëpërmjet rrethimit.

Miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e oborrit në përdorim deri në 300 m2 bëhet pa pagesë në rastet kur trualli është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë.

Kur oborri në përdorim rezulton në pronësi private të të tretëve, miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e truallit bëhet për sipërfaqe deri në 300 m2. Në këto raste, subjekti përfitues duhet të paguajë vlerën e truallit, e cila llogaritet sipas çmimit favorizues.

Kërkesat e administruara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk ka përfunduar trajtimi administrativ i tyre, i nënshtrohen parashikimeve të këtij vendimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat