Shqipëria Postuar më 17 September 2026, 11:00

Miratohen 2 centrale diellore - Kapaciteti total 51.5 MW, investimet në Fier dhe Cërrik

Nga Ola Mitre

Qeveria ka miratuar ndërtimin e dy centraleve të reja fotovoltaike, me një kapacitet të instaluar prej 51.5 MW. Projektet do të zhvillohen në bashkitë Fier dhe Cërrik dhe nuk janë objekt koncesioni, ndërsa kompanitë nuk përfitojnë nga masat mbështetëse për energjinë e prodhuar.

Projekti më i madh do të ndërtohet nga shoqëria “ALB ENERGY GROUP”, në fshatin Povelçë, në njësinë administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Centrali do të ketë një kapacitet të instaluar prej 31 MW.

Projekti i dytë parashikon ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 20.5 MW, nga shoqëria “TI SOLAR POWER”. Impianti do të vendoset në afërsi të fshatit Trokaj, në njësinë administrative Shalës, Bashkia Cërrik.

Sipas vendimeve, të dy kompanitë kanë një afat prej 36 muajsh për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në operim të impianteve. Ndërkohë, të dy projektet do t’i japin shtetit në formën e “royalty”, 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike, ose konvertimin e kësaj sasie në vlerë monetare që derdhet në buxhetin e shtetit.

Miratimi i dy impianteve vjen në një periudhë kur projektet fotovoltaike vijojnë të zgjerojnë peshën e tyre në kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë elektrike në vend. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se numri i centraleve fotovoltaike arriti në 53 në vitin 2025, me një kapacitet të instaluar prej 631 MW. 

Megjithatë zhvillimi i shpejtë i sektorit po sjell edhe sfida të reja për menaxhimin e këtij burimi, duke u pasuar me ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si menaxhohet energjia diellore. Disa nga projektet më të mëdha fotovoltaike në vend kanë nisur të kërkojnë integrimin e sistemeve të depozitimit të energjisë, duke reflektuar një tendencë të re në treg. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat