Shqipëria Postuar më 17 September 2026, 11:15

Objektet pa titull pronësie - Vendimi/ Si do të bëhet legalizimi për ndërtesat dhe trojet

Nga Elisabeta Dosku

shtepi doc.jpg

Qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje ose në truall pa titull pronësie do t’u jepet mundësia që të marrin certifikatat e pronësisë.

Vendimi i fundit i qeverisë përcakton rrugën që do të ndiqen, duke ngarkuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, që të përcaktojë listën e blloqeve kadastrale, në kuadër të trajtimit dhe përfundimit të procedurave të miratimit të dokumentit të pronësisë, të objekteve pa titull pronësie, të trojeve të tyre funksionale dhe të oborreve në përdorim. 

Sipas vendimit, procedura mund të nisë edhe me kërkesë të subjektit, i cili në këtë rast duhet ta paraqesë aplikimin on-line nëpërmjet “e-Albania” dhe të shlyejë tarifën e shërbimit për procedurën administrative.

Në rastet e nisjes së procedurës administrative,  ASHK-ja trajton kryesisht procedurat e miratimit të pronësisë për pasuritë, të evidentuara nga vetë institucioni, gjatë proceseve të regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale apo gjatë verifikimit të kryer në terren sipas blloqeve kadastrale, miratuar me planveprimin përkatës. Në momentin e verifikimit në terren, ASHK-ja i vë në dispozicion subjektit të plotësojë formularin e deklarimit të të dhënave. 

Tarifa që duhet të paguajnë qytetarët është 10 mijë lekë dhe shlyhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për kalimin e pronësisë dhe është e pakthyeshme edhe në rast rrëzimi të kërkesës nga ASHK-ja. Në rastin kur procedura administrative nis nga ASHK nuk aplikohet pagesa e tarifës standarde e shërbimit për procedurën për rastet e objekteve me funksion banimi. 

Gjithashtu, vendimi përcakton se drejtoria vendore e ASHK-së kalon pronësinë për sipërfaqen funksionale deri në 300 m2,  pra sipërfaqen nën ndërtesë dhe përreth saj, me kusht që të posedohet efektivisht në terren nga subjekti, vërtetuar në momentin e evidentimit në terren nëpërmjet rrethimit. Nëse subjekti ka dokumentacion pronësie për truallin, të regjistruar ose të regjistrueshëm, atëherë procedurat e miratimit të dokumentit të pronësisë, kryhen vetëm për ndërtimin.

Pajisa me certifikatë pronësisë për sipërfaqen e truallit funksional deri në 300 m2 bëhet pa pagesë në rastet kur trualli është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë pavarësisht nëse në këtë sipërfaqe ka dhe ndërtime pa leje që lidhen me vetë subjektin.

Kur trualli funksional i objektit pa titull pronësie rezulton në pronësi private të të tretëve, miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e truallit bëhet për sipërfaqe deri në 300 m2. Në këto raste, subjekti përfitues duhet të paguajë vlerën e truallit, e cila llogaritet sipas çmimit favorizues dhe me të njëjtat lehtësi pagese, të përcaktuara nëligjin nr 20/2020, në fuqi “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Përjashtimisht, në rastet kur trualli funksional bie pjesërisht në pronë shtetërore dhe pjesërisht në pronë private, drejtoria vendore e ASHK-së miraton dokumentin e pronësisë për truallin funksional dhe për sipërfaqe më të vogël se 300 m2, pavarësisht posedimit efektiv në terren, pa cenuar pronësinë private të të tretëve kur kjo është e mundur fizikisht në terren.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat