Shqipëria Postuar më 4 Janar 2023, 15:08

Qeveria dështon në mbledhjen e taksës mbi pronën - Probleme prej 5 vitesh me kadastrën fiskale, të dhënat jo të plota

Nga SCAN TV
Qeveria dështon në mbledhjen e taksës mbi pronën - Probleme

Prej 5 vitesh që në krijimin e saj, zbatimi i bazës ligjore për Kadastrën Fiskale është vonuar për shkak të të dhënave jo të plota, duke penguar funksionimin e saj. Kjo çështje e ka bërë të pamundur mbledhjen e taksës mbi pronën. Në raportin që vet qeveria ka përgatitur për Integrimin Europian 2023-2025 thuhet se janë hasur probleme në lidhje me të dhënat për pasuritë e paluajtshme.

“Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë gjatë proceseve të punës ka hasur vështirësi lidhur me disponueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave nga databazat e të dhënave që disponojnë institucionet e tjera, kryesisht të dhënat me informacione gjeografike për pasuritë e paluajtshme.”- evidentohet në raport.

Edhe pse hapa janë bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë me implementimin e sistemeve inofrmatike që përmbajnë funksionalitetet e nevojshme për taksimin dhe faturimin e taksës së pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”, përsëri ka probleme për mbledhjen e saj.

Taksimi për ndërtesat apo njësitë pronësore bëhet në bazë të kategorive të ndërtesa apo funksionit që ato mbajnë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë dhe Bashkitë janë institucionet përgjegjëse për implementimin e reformës së taksës së pasurisë së paluajtshme. Bashkitë luajnë një rol të rëndësishëm në mbledhjen e saj për të cilat është ofruar asistencë nga qeveria por që nuk kanë arritur nivelin e duhur.

Në raport thuhet se për funksionalitetin e plotë të kadastrës fiskale është planifikuar të ndryshohet baza ligjore.

Shqipëria nuk ka ende kapacitetin teknik për të lehtësuar shkëmbimin efikas të informacionit. Sistemi elektronik i administratës tatimore ka funksionuar që nga janari 2015, por nuk ka afate për arritjen e ndërlidhjes dhe ndërveprimit me sistemet e BE-së.

Marinela Lina / SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat