Bota Postuar më 1 Dhjetor 2023, 09:34

Pse vendet duan të “thyejnë” plotfuqishmërinë e dollarit? - Dollari ka mbajtur “frenat” e monedhës rezervë botërore që nga Lufta e Dytë Botërore

Nga SCAN TV
Pse vendet duan të “thyejnë” plotfuqishmërinë e

Plotfuqishmëria e dollarit në tregtinë dhe financat globale ka intensifikuar shqetësimet në shumë vende të botës, duke ngritur tonin në debatin për dedollarizimin që ka nisur që në vitet 1970 dhe herë pas here rikthehet në pah, ndërsa sot merr përmasa më serioze.

Kohët e fundit, kryetarja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, paralajmëroi fundin e dollarit ndërsa fliste në konferencën vjetore të bankierëve qendrorë. Nuk ishte hera e parë që Lagarde shprehte publikisht shqetësimin për fatin e rendit ndërkombëtar të tregjeve të lira, dominimin e dollarit dhe globalizimin në krijimin e të cilit ajo ndihmoi. Në prill, ajo ishte banka e parë qendrore perëndimore që shprehu shqetësime të qarta për brishtësinë e dollarit, dominimi ndërkombëtar i të cilit sipas saj ‘nuk duhet të merret më si i mirëqenë’.

Dollari ka qenë monedha rezervë botërore që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, gati 60% e rezervave ndërkombëtare janë në dollarë. Dollari është gjithashtu monedha më e përdorur për tregti.

Megjithatë, një kombinim i arsyeve politike dhe ekonomike po e zvogëlon ngadalë dominimin e tij. Kohët e fundit sanksionet perëndimore kundër Rusisë kanë shtyrë disa vende të konsiderojnë përdorimin e monedhave të tjera për transaksionet tregtare. Brazili, Argjentina, Bangladeshi dhe India përdorin monedha dhe asete të tjera si juani kinez dhe bitcoin për tregti dhe pagesa.

Arsyet kryesore që i shtyjnë ekonomitë të planifikojnë pavarësinë e tyre nga monedha amerikane kanë të bëjnë kryësisht me politikën monetare të SHBA-së e cila ushtron shumë ndikim në pjesën tjetër të botës. SHBA është emetuesi i monedhës rezervë botërore, e cila është gjithashtu monedha dominuese në tregtinë ndërkombëtare dhe sistemet e pagesave.

Një aspekt, që nuk duhet neglizhuar, është se SHBA mund të mos hyjë në krizë nëse nuk është në gjendje të shërbejë borxhin e saj kur vlera e dollarit bie ndjeshëm, sepse Uashingtoni thjesht mund të emetojë më shumë para.

Qeveria amerikane është kritikuar për ndjekjen e një politike të lirshme monetare që prek jo vetëm ekonominë e saj, por edhe ekonominë globale. Kjo u pa qartë gjatë pandemisë kur qeveria amerikane ‘printonte’ dollarë. Mbi 3 trilion dollarë u prodhuan vetëm në vitin 2020 dhe kjo prirje ka vazhduar deri në vitin 2021. Shtypja e shumë parave zhvlerëson monedhën dhe në rastin e dollarit amerikan, efektet ndihen në mbarë botën. India, ndër të tjera, shkoi aq larg sa i quajti Shtetet e Bashkuara një emetues të papërgjegjshëm të monedhave rezervë botërore. Ndërkohë një dollar i fortë amerikan po bëhet shumë i shtrenjtë për ekonomitë në zhvillim. Në të kundërt, kur dollari dobësohet në tregjet ndërkombëtare, ai rrit çmimet e produkteve të importuara në ekonomitë në zhvillim.

Shkëputja nga dollari ishte ndër mesazhet kryesore të Samitit të 15-të të grupit BRICS, i cili zgjeroi shtrirjen e tij për të përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën dhe Iranin si shtete të reja anëtare. Me një total prej 11 shtetesh anëtare, grupi BRICS po harton një kurs për të sfiduar dominimin afatgjatë të dollarit amerikan në sistemin financiar global.

Një arsye kryesore pse dollari amerikan u bë monedha rezervë botërore ishte se vendet e Gjirit në Lindjen e Mesme përdorën dollarin për të tregtuar naftë. Marrëveshja që u bë e njohur si ‘nafta për sigurinë’ u vulos zyrtarisht në shkurt 1945. Por më pas SHBA-të u bënë të pavarura nga energjia dhe një eksportues neto i naftës me rritjen e industrisë së naftës argjilore. Aderimi i shteteve të reja anëtare në BRICS, veçanërisht Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentina dhe Irani, të gjitha shtetet kryesore prodhuese të naftës, ka implikime të rëndësishme për këtë praktikë mbizotëruese. Arabia Saudite ka thënë se është e hapur për të eksploruar monedha alternative për tregtinë e naftës, me Indinë që tashmë ka bërë hapa duke blerë naftë nga Arabia Saudite në monedhën e saj vendase.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat