Analiza Postuar më 9 November 2026, 12:08

Pronat, Durrësi mbi Tiranën/ Aktivitetet e pasurive të paluajtshme zënë 7.31% të ekonomisë së qarkut

Nga Scan TV

Pronat, Durrësi mbi Tiranën/ Aktivitetet e pasurive të

Durrësi renditet i pari në Shqipëri për peshën që zënë aktivitetet e pasurive të paluajtshme në ekonominë vendore, duke lënë pas edhe Tiranën. Megjithatë, kryeqyteti krijon një vlerë shumë më të lartë nga ky aktivitet në terma absolutë, duke nxjerrë në pah dallimet në strukturën ekonomike të qarqeve.

Sipas një analize të “Scan Intel” mbi të dhënat e INSTAT-it, në vitin 2024 aktivitetet e pasurive të paluajtshme përbënin 7.31% të vlerës së shtuar bruto (VSHB) në Durrës. Në vendin e dytë renditet Vlora me 6.97%, e ndjekur nga Lezha me 6.93% dhe Tirana me 6.14%.

Megjithatë, krahasimi i katër viteve evidenton një zhvillim interesant. Pesha e këtij aktiviteti në ekonominë e Durrësit ka rënë nga 9.12% në vitin 2021 në 7.31% në vitin 2024, duke humbur 1.81 pikë përqindjeje.

Rënia e peshës relative nuk është shoqëruar me ulje të vlerës së shtuar nominale. Përkundrazi, ajo u rrit nga rreth 14.72 miliardë lekë në 16.36 miliardë lekë, ose me 11.1%.

Kjo ecuri shpjegohet nga zgjerimi më i shpejtë i aktiviteteve të tjera. VSHB-ja totale e Durrësit, e matur me çmime korrente, u rrit me 38.6% gjatë së njëjtës periudhë. Ndërkohë, grupi i tregtisë, transportit dhe hotelerisë e zgjeroi peshën e tij në ekonominë vendore nga 25.02% në 28.70%.

Një prirje e ngjashme e rënies së peshës relative vërehet edhe në Vlorë, ku aktivitetet e pasurive të paluajtshme zbritën nga 8.50% në 6.97% të VSHB-së. Në të kundërt, Lezha regjistroi rritje nga 6.37% në 6.93%.

Nga ana tjetër, Tirana mbetet dukshëm përpara për nga vlera absolute e krijuar. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme gjeneruan rreth 62.85 miliardë lekë VSHB në kryeqytet, kundrejt 16.36 miliardë lekëve në Durrës, ose afërsisht 3.8 herë më shumë.

Kështu, ndërsa Durrësi kryeson për rëndësinë relative të këtij aktiviteti në ekonominë e vet, Tirana ruan epërsinë në vlerën e shtuar të krijuar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat