Analiza Postuar më 9 November 2026, 11:17

Inflacioni rikthehet mbi 3%/ Ushqimet nxisin shtrenjtimin, transporti mbetet 11.4% më i kushtueshëm

Nga Xhorxhina Deda

Inflacioni rikthehet mbi 3%/ Ushqimet nxisin shtrenjtimin, transporti mbetet

Inflacioni në Shqipëri u përshpejtua gjatë muajit tetor, duke u rikthyer mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, norma vjetore e inflacionit arriti në 3.4%, nga 2.9% që ishte regjistruar në shtator. Rritja është edhe më e dukshme në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, kur inflacioni ishte 2.3%. Ndërkohë, në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.5%.

Ushqimet rezultojnë faktori kryesor që ka nxitur përshpejtimin e inflacionit, duke rënduar drejtpërdrejt mbi shpenzimet e përditshme të familjeve. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 1.36 pikë përqindje në inflacionin vjetor, nga 0.96 pikë përqindje në shtator. Kjo do të thotë se vetëm ushqimet shpjegojnë rreth 40% të normës së përgjithshme të inflacionit.

Pas ushqimeve renditet transporti, me një kontribut prej 0.73 pikë përqindje, ndërsa shpenzimet për qiranë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera ndikuan me 0.56 pikë përqindje. Së bashku, këto tri kategori kontribuuan me 2.65 pikë përqindje, ose rreth 78% të inflacionit vjetor të tetorit.

Megjithatë, transporti vijon të jetë kategoria me shtrenjtimin më të fortë në terma vjetorë. Krahasuar me tetorin 2025, çmimet në këtë grup janë rritur me 11.4%, ndonëse ritmi është ngadalësuar nga 12.4% në shtator. Në krahasim me muajin e mëparshëm, çmimet e transportit shënuan madje një ulje prej 1.4%.

Pas transportit, rritja më e madhe vjetore u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 7.4%, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me 4.4%. Çmimet e ushqimeve u rritën me 4%, kurse shpenzimet për banesën dhe shërbimet e lidhura me të me 2.8%.

Në bazë mujore, rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua te veshjet dhe këpucët, me 1.5%, të ndjekura nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1.2%. Në të kundërt, përveç transportit, ulje çmimesh me 0.1% u regjistrua edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit.

Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare po ushtron presion gjithnjë e më të madh mbi inflacionin në Shqipëri, duke ndikuar në kostot e mallrave dhe produkteve që importohen nga jashtë. Megjithatë, forcimi i lekut kundrejt valutave të huaja ka shërbyer si një faktor mbrojtës, duke zbutur pjesërisht efektin e shtrenjtimit të importeve dhe duke frenuar përcjelljen e plotë të këtyre rritjeve te çmimet që paguajnë konsumatorët shqiptarë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat