Shqipëria Postuar më 9 November 2026, 11:17

Energjia, mbrohen nevojtarët - Familjet në nevojë, kushte për ndërprerjen e dritave. Marrëveshje pagese sipas aftësisë paguese

Nga Ola Mitre

Energjia, mbrohen nevojtarët - Familjet në nevojë, kushte

Familjeve me statusin e klientit në nevojë nuk do t’u ndërpritet energjia elektrike për fatura të papaguara pa iu ofruar më parë mundësia për një marrëveshje pagese, të përshtatur me mundësitë e tyre financiare. Enti Rregullator i Energjisë ka hartuar një projekt-rregullore që përcakton kushtet e ndërprerjes së furnizimit për këtë kategori, si dhe masat për mbrojtjen e saj. 

Sipas draftit, furnizuesi nuk mund të kërkojë shkëputjen e energjisë gjatë kohës që klienti respekton marrëveshjen për shlyerjen e detyrimeve. Mbrojtje parashikohet edhe për familjet ku përdoren pajisje mjekësore për mbështetjen e jetës, funksionimi i të cilave varet nga energjia elektrike. Gjithashtu, furnizimi nuk do të ndërpritet gjatë shqyrtimit të kërkesës për përfitimin e statusit të klientit në nevojë, kur furnizuesi është informuar për këtë proces.

Ndërprerja mund të kërkohet nëse klienti nuk respekton planin e pagesës apo refuzon në mënyrë të përsëritur mundësitë e arsyeshme për shlyerjen e detyrimeve. 

Statusi i klientit në nevojë rregullohet nga ligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, ndërsa kriteret dhe procedurat për përfitimin e tij miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ligji parashikon që të merren në konsideratë të ardhurat e ulëta, konsumi i energjisë, mosha dhe karakteristikat e lidhjes elektrike. Familjet që përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit duhet t’i përdorin këto fonde për pagesën e energjisë.

Megjithatë, aktualisht regjistri i klientëve në nevojë nuk është ngritur, ndonëse parashikohej në ligjin e miratuar në vitin 2015. Ndërkohë, ligji i ri “Për sketorin e energjisë elektrike”, i miratuar në qershor të këtij viti, parashikon që kriteret dhe procedurat për përfitimin e këtij statusi të miratohen nga qeveria brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi, por nuk përcakton një afat të posaçëm për krijimin e regjistrit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat