FunData Postuar më 9 November 2026, 13:01

Më shumë përdorues në Netflix/ Sa orë pune i kushton një shqiptari abonimi në platformë?

Nga Eldiona Serani

Më shumë përdorues në Netflix/ Sa orë pune i kushton

Një abonim mujor në Netflix mund të përbëjë një shpenzim të vogël në disa vende europiane, ndërsa në të tjera kërkon disa orë punë për t'u përballuar. Diferencat nuk lidhen vetëm me çmimin e shërbimit, por edhe me nivelin e pagave dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve në secilin vend.

Një vizualizim i publikuar nga “The European Correspondent” krahason çmimin e abonimit mujor Standard të Netflix-it me pagën mesatare për orë në vendet europiane, duke matur përballueshmërinë e platformës përmes kohës së punës që nevojitet për të paguar shërbimin, dhe jo thjesht përmes vlerës monetare.

Në këtë renditje, Shqipëria pozicionohet ndër vendet ku abonimi kërkon më shumë kohë pune për t'u përballuar. Së bashku me Moldavinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendi bën pjesë në grupin ku punonjësve u duhet më shumë se një orë punë për të mbuluar koston e një abonimi mujor.

Për të kuptuar më mirë peshën e këtij shpenzimi në buxhetin e një punonjësi shqiptar, paga mesatare bruto prej 92,150 lekësh në muaj, pas zbritjes së tatimit dhe kontributeve, përkthehet në rreth 73,700 lekë neto. Ndërkohë, një abonim me çmim 9.99 dollarë kushton afërsisht 815 lekë. Kjo do të thotë se, bazuar në këto të dhëna dhe në një mesatare prej 174 orësh pune në muaj, një individ me pagën mesatare duhet të punojë rreth dy orë për të mbuluar këtë shpenzim. 

Në anën tjetër, Sllovenia spikat ndër vendet ku Netflix-i është më i përballueshëm, duke iu bashkuar ekonomive me të ardhura të larta si Islanda dhe Norvegjia, ku për të paguar abonimin nevojiten më pak se 20 minuta punë.

Krahasimi tregon se përballueshmëria e shërbimeve të transmetimit ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Edhe pse çmimi mujor i abonimit mund të jetë relativisht i ngjashëm, pesha që ai zë në të ardhurat e konsumatorëve është shumë e ndryshme.

Pavarësisht kësaj, interesi për platformën në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave, numri i personave që janë abonuar të paktën një herë në Netflix gjatë vitit 2025 arriti në afro 97 mijë, nga rreth 84 mijë në vitin 2024. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 15.5% brenda një viti, duke treguar zgjerimin e audiencës shqiptare për shërbimet e transmetimit online.

Më shumë përdorues në Netflix/ Sa orë pune i kushton

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat