Europa Postuar më 6 Korrik 2024, 15:30

Portugalia lehtëson taksat - Objektivi kryesor janë investimet e huaja

Nga SCAN TV
Portugalia lehtëson taksat - Objektivi kryesor janë investimet e huaja

Qeveria e re e qendrës së djathtë të Portugalisë planifikon të rivendosë lehtësimet e diskutueshme tatimore që tërhoqën një valë të huajsh në vend. Por nga ana tjetër synon të sigurohet që që pensionistët e pasur - emigrantë të mos mund të përfitojnë.

Sarmento, ministri i financave i Portugalisë, i tha Financial Times se qeveria do të zbulojë planin në ditët në vijim për të ‘tërhequr disa njerëz’ në vend si pjesë e një pakete masash që synojnë nxitjen e rritjes ekonomike.

Uljet e taksave u prezantuan në vitin 2009 për të ndihmuar Portugalinë të rimëkëmbet nga kriza ekonomike, por u anuluan vitin e kaluar nga qeveria e mëparshme socialiste. Ato u cilësuan si një ‘padrejtësi fiskale’ dhe u akuzuan për rritjen e çmimeve të banesave në një nga ekonomitë me të ardhura më të ulëta në Eurozonë.

Sarmento, i cili shërben në një qeveri të brishtë që i mungon një shumicë parlamentare, tha se regjimi i rivendosur do të përfshijë të njëjtën normë të tatimit mbi të ardhurat prej 20 %, por do të mbulojë vetëm pagat dhe të ardhurat profesionale. Pra do të përjashtohen dividentët, fitimet kapitale dhe pensionet, gjë që ka qenë një problem midis Portugalisë dhe vendeve si Finlanda apo Suedia.

Vendet nordike u ankuan se lehtësimi i taksave po tërhiqte pensionistët që ndaluan së paguari taksat në vendet e tyre. Portugalia fillimisht përjashtoi pensionet nga taksat, por më vonë futi një normë të sheshtë prej 10% në përgjigje të kritikave nga anëtarët e BE-së.

Qeveria e pakicës e kryeministrit do të duhet të fitojë miratimin nga ligjvënësit e opozitës për të shtyrë regjimin e taksave speciale. Ai do të kishte nevojë për mbështetjen e Partisë Socialiste ose të partisë së ekstremit të djathtë Chega, të cilat të dyja janë kundër lehtësimit të taksave.

Kompanitë e mëdha portugeze ka të ngjarë të mirëpresin kthimin e normës prej 20%. Ata thonë se po luftojnë për të tërhequr inxhinierë, studiues dhe menaxherë të huaj të gatshëm të paguajnë normën më të lartë të taksës marxhinale të Portugalisë prej 48%, e cila vendoset në pjesën e të ardhurave mbi pragun prej 81.199 euro.

Gjithashtu, Sarmento tregoi se qeveria nuk do të ndryshojë vendimin e qeverisë së mëparshme për t'i dhënë fund "vizave të arta" lidhur me blerjet e pronave mbi 500.000 euro.

Lehtësime të veçanta tatimore do të kenë gjithashtu shtetasit portugez që kanë jetuar jashtë vendit. Për t'u kualifikuar sipas versionit të mëparshëm të ligjit, përfituesit duhej të bëheshin rezidentë tatimorë në Portugali — ose duke kaluar më shumë se 183 ditë në vit ose duke pasur një qëndrim të përhershëm në vend.

Banka qendrore e vendit është e shqetësuar se planet e qeverisë do ta shtyjnë vendin nga një suficit buxhetor përsëri në një deficit buxhetor, duke e vënë atë potencialisht në shkelje të rregullave të reja të borxhit të BE-së.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat