Shqipëria Postuar më 6 Korrik 2024, 10:59

“3 milionë euro për kategoritë në nevojë” - Programi i mbështetur nga USAID e UNDP, mbi 900 përfitues në Durrës, Lezhë dhe Kurbin

Nga SCAN TV

Mbi 900 persona, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit, kanë marrë shërbime në tre Qendrat e ngritura me mbështetjen e USAID dhe UNDP, në Durrës, Lezhë dhe Kurbin. Qendrat ofrojnë shërbime të mbështetjes psiko-sociale, terapi të të folurit, fizioterapi, programe pas-shkollore dhe programe mentorimi për punësim. Veç kësaj, këto struktura kanë fokus të veçantë dhe viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Konkretisht, vetëm në Durrës janë mbështetur deri më tani 515 persona.

“Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” ka mbështetur 515 persona. Janë 70 fëmijë të cilët i janë bashkuar programit “Pas shkollor”, të gjithë nga familje që përballen me sfida ekonomike, ndërsa 60 fëmijë me aftësi të kufizuara kanë marrë shërbime të specializuara si logopedi dhe fizioterapi”, tha Vjola Cikalleshi, drejtuese e Qendrës në Durrës.

Ndërkohë, në Lezhë aktiviteti i qendrës ka nisur në shkurt të këtij viti, dhe në harkun e pak muajve kanë marrë shërbime 164 gra, burra dhe fëmijë në nevojë. “Janë 33 persona me aftësi të kufizuara, mes të cilëve 9 fëmijë, të cilët marrin shërbim. Gjithashtu, qendra ka 20 raste të grave, viktima të dhunës me bazë gjinore të cilat mbështeten me këshillim psikosocial, ligjor dhe fuqizim të aftësive jetësore”, theksoi Erleta Pjetri, drejtuese e Qendrës në Lezhë.

Në qendrën e Kurbinit, siç vuri në dukje edhe drejtuesja Blerina Gjidiaj janë mbështetur 267 individë nga komunitetet vulnerabël. Me një fond 3 milionë euro, programi do të shtrihet deri në vitin 2026. “Ajo që synohet është që në fund të këtij 3-vjeçari, të kemi fuqizuar mekanizmat institucional për të adresuar problematikat me të cilat hasen kategoritë në nevojë”, tha Edlira Papavangjeli, drejtuese e programit pranë UNDP. Në 2026-n këto qendra do të kalojnë në varësi të bashkive, të cilat kanë marrë angazhimin për të vijuar me ofrimin e paketës së shërbimeve, për t’ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Në qendrën "Të fuqizojmë komunitetin", Durrës

Në qendrën "Të fuqizojmë komunitetin", Lezhë

Drejtoresha e qendrës "Të fuqizojmë komunitetin", Kurbin, Blerina Gjediaj

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat