Shqipëria Postuar më 5 Korrik 2024, 14:48

Sa inovative janë bizneset në Shqipëri? - INSTAT: Rreth 42.9% e ndërmarrjeve investuan në inovacion

Nga SCAN TV
Sa inovative janë bizneset në Shqipëri? - INSTAT: Rreth 42.9% e

Bizneset në Shqipëri po investojnë gjithnjë e më tepër në inovacion, duke sjellë risi në produktet e tyre ose futur procese të reja në biznes. Sipas të dhënave nga INSTAT, 42,9% e ndërmarrjeve të vrojtuara në Shqipëri kanë kryer një aktivitet inovacioni. Kjo shifër është rritur me 6,3% për periudhën 2020-2022.

Inovacioni rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve, ku bizneset që ushtrojnë aktivitetin e informacionit dhe komunikimit kanë rezultuar aktive në inovacion me 67,3%, ndërsa ato që ushtrojnë aktivitete financiare dhe të sigurimit me 52,7%.

Nga ana tjetër, aktiviteti i inovacionit në sektorin e industrisë rezulton me 39,3% ku përkatësisht bizneset që ushtrojnë veprimtari lidhur me energjinë elektrike, furnizimin me gaz, avull dhe ajër të kondicionuar kanë rezultuar aktive në inovacion me 44,4%, ndërsa në industrinë përpunuese me 42%.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, vihet re se ndërmarrjet e vogla (10-49 të punësuar) kanë pësuar rritje të ndjeshme në aktivitetin e inovacionit me 7,4%. Bizneset e vogla kanë zhvilluar produkte inovative më shpejt se ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha.

Gjatë periudhës 2020-2022, 25,6% e të gjitha ndërmarrjeve zhvilluan inovacione të produkteve, ndërsa 36,3% zhvilluan procese biznesi të reja ose të përmirësuara. Në vitin 2022, shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet aktive në inovacion përbënë 58,1% të shitjeve neto gjithsej të ndërmarrjeve të vrojtuara, ndërsa numri i të punësuarve në këto ndërmarrje ishte 53,5%.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat