Bota Postuar më 30 Janar 2023, 14:13

Përshpejtohet kalimi drejt energjisë së pastër - British Petroleum: Ngadalësimi ekonomik global do të vijojë deri në vitin 2035

Nga SCAN TV
Përshpejtohet kalimi drejt energjisë së pastër - British

Lufta e Rusisë në Ukrainë pritet të rëndojë në kërkesën afatgjatë për energji dhe të përshpejtojë zhvendosjen e botës drejt burimeve të rinovueshme dhe energjisë me karbon të ulët. Kjo në një kohë që vendet rrisin furnizimet e brendshme të energjisë, sipas një raporti të fundit të British Petroleum.

Në standardin e saj të Perspektivës së Energjisë 2023, BP konfirmoi se lufta në Ukrainë do të ngadalësojë aktivitetin ekonomik global deri në vitin 2035 me rreth 3% krahasuar me parashikimin e vitit të kaluar, për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, si dhe aktivitetit të zvogëluar tregtar.

BP uli parashikimin e kërkesës për naftë dhe gaz përkatësisht me 5% dhe 6%, sipas skenarit qendror të parashikimit që bazohet në planet aktuale të tranzicionit të energjisë të qeverive. Ndryshimet janë të përqendruara kryesisht në Europë dhe Azi, të cilat mbështeten shumë në importet e energjisë, tha BP.

Sipas tre skenarëve të parashikuara, kërkesa globale për energji arrin kulmin midis fundit të viteve 2020 dhe 2035, sipas BP, shefi ekzekutiv i së cilës Bernard Looney synon të rrisë me shpejtësi biznesin e burimeve të rinovueshme të kompanisë dhe të ulë prodhimin e naftës dhe gazit deri në vitin 2030.

Rusia është një eksportues kryesor i energjisë dhe mallrave të tjera. Por rrugët e tregtisë globale të energjisë ndryshuan në mënyrë dramatike pas luftës, veçanërisht pasi Moska ndaloi shumicën e eksporteve të gazit natyror në Europën fqinje, ndërsa Europa ndaloi importet e naftës ruse.

Në të njëjtën kohë, një rritje e çmimeve globale të energjisë vitin e kaluar bëri që qeveritë të përshpejtojnë prodhimin vendas të energjisë duke përfshirë ato bërthamore, burimet e rinovueshme, hidrocentralet dhe qymyrin.

BP pret që konsumi i energjisë primare në 2035 të jetë më i ulët me 2% krahasuar me perspektivën e vitit të kaluar, me gjysmën e rënies për shkak të përfitimeve në efiçencën e energjisë dhe gjysmën për shkak të aktivitetit më të ulët ekonomik.

Kryeekonomisti i BP, Spencer Dale u shpreh se përqendrimi i shtuar në sigurinë energjetike si rezultat i luftës Rusi-Ukrainë ka potencialin për të përshpejtuar tranzicionin energjetik pasi vendet kërkojnë të rrisin aksesin në energjinë e prodhuar në vend, shumica e së cilës ka të ngjarë të vijë nga burimet e rinovueshme dhe lëndë djegëse të tjera jofosile.

Kërkesa për naftë parashikohet të bjerë me shpejtësi pas vitit 2030 sipas tre skenarëve të BP, por do të vazhdojë të luajë një rol të madh në sistemin global të energjisë, me kërkesën botërore që arrin 70 deri në 80 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2035, krahasuar me konsumin e sotëm prej rreth 100 milionë fuçi në ditë.

Emetimet e karbonit në vitin 2030, sipas skenarit qendror të BP do të jenë 3.7% më të ulëta se në perspektivën e mëparshme.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat