Shqipëria Postuar më 11 Maj 2024, 12:10

Nxitet kthimi i emigrantëve të kualifikuar në Shqipëri - Hyn në fuqi “Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024-2030”

Nga SCAN TV
Nxitet kthimi i emigrantëve të kualifikuar në Shqipëri - Hyn

Menaxhimi i flukseve migratore, promovimi i të drejtave të migrantëve dhe integrimi i tyre në shoqërinë shqiptare janë ndër qëllimet kryesore të strategjisë më të fundit mbi migracionin. Është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi për miratimin e strategjisë kombëtare për migracionin 2024 – 2030 dhe planit të saj të veprimit.

Kjo strategji parashikon zhvillimin e politikave efektive për migrantët që zhvendosen nga një vend në një vend tjetër për arsye punësimi, duke rritur ndikimin pozitiv të migracionit në zhvillimin social-ekonomik kombëtar ose vendor, promovimin e migracionit të rregullt, si dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve.

Migrimi në kontekstin shqiptar vazhdon të karakterizohet më shumë nga emigracioni ndërkombëtar i popullsisë vendase dhe më pak nga imigrimi i të huajve në vend. Strategjia e re synon që të realizojë integrimin e qëndrueshëm të shtetasve shqiptarë të kthyer nga emigracioni deri në vitin 2030, përmes vlerësimit të nevojave dhe vështirësive që ata hasin me qëllim adresimin e tyre në mënyrë efektive.

Strategjia përfshin masa për lehtësimin dhe nxitjen e kthimit të emigrantëve të kualifikuar në Shqipëri dhe maksimizimin e potencialit të tyre për zhvillimin ekonomik të vendit përmes promovimit të kapitalit njerëzor dhe investues të tyre, krijimit të paketave informuese mbi procesin e kthimit dhe riintegrimit, si dhe kushtet e tregut të punës. Edhe për të huajt, gjithashtu parashikohen masa për informimin mbi format, mundësitë dhe procedurat e migrimit për arsye pune në Shqipëri, si dhe përmirësimin e veprimtarisë së agjencive private të punësimit dhe punëdhënësve, me qëllim zbatimin e standardeve të punësimit etik.

Në kuadër të agjendës kombëtare të integrimit në Bashkimin Evropian, ky dokument është hartuar në përputhje me përmbushjen e detyrimeve të kapitujve të legjislacionit evropian në fushën e azilit, migracionit dhe lëvizjes së lirë.

Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e planit të veprimit të dokumentit strategjik të Migracionit 2024-2030, për periudhën e parë trevjeçare është rreth 727.9 milionë lekë. Për periudhën afatmesme 2024-2026, shpenzimet e planifikuara në buxhetet e institucioneve përgjegjëse janë rreth 391.8 milionë lekë, të planifikuara në buxhetin vjetor dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat