Bota Postuar më 25 Prill 2023, 09:56

Nafta mbështetet nga rritja e kërkesës në Kinë - Fitimet kufizohen nga shtrëngimi i politikave monetare nga bankat qendrore

Nga SCAN TV
Nafta mbështetet nga rritja e kërkesës në Kinë -

Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërsa gjatë sesionit të kaluar amerikan rikuperoi një pjesë të humbjeve. Çmimet po mbështeten nga parashikimet se udhëtimet gjatë pushimeve në Kinë do të rrisin ndjeshëm kërkesën për naftë. Në anën tjetër, pritshmëritë se bankat qendrore do të shtrëngojnë politikën monetare kanë kufizuar fitimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 82 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 78 dollarë për fuçi.

Në sesionin e kaluar, të dyja kontratat u rritën me rreth 1%, për shkak të optimizmit se kërkesa do të rritet ndjeshëm në Kinë, gjatë pushimeve me rastin e 1 majit. Megjithatë, tregjet po monitorojnë nga afër të dhënat që mund të japin një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrin bankat qendrore në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe në Bashkimin Europian.

Investitorët po presin edhe të dhënat mbi rezervat e naftës në SHBA, për javën e kaluar. Sot publikohet raporti jozyrtar nga Instituti Amerikan i Naftës, ndërsa të mërkurën publikohet raporti zyrtar nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Analistët parashikojnë se, rezervat e naftës bruto do të kenë rënë me 1.7 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 21 prill.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat