Europa Postuar më 21 Janar 2023, 10:48

Mungesë e theksuar e fuqisë punëtore në Gjermani: Në mars pritet ligji i ri emigracionit!

Nga SCAN TV
Mungesë e theksuar e fuqisë punëtore në Gjermani: Në

Gjermania ka një problem të madh me mungesën e fuqisë punëtore. Dhe këtë e tha sërish të premten në Bundestag ministri gjerman i Punës dhe  Çështjeve Sociale Hubertus Heil, gjatë promovimit të strategjisë së re për daljen nga kriza e fuqisë punëtore.

Strategjia e re qeverisë, e cila iu kalua për shqyrtim komisioneve përkatëse në Bundestag, parashikon shfrytëzimin e potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.

Por sipas Heil shfrytëzimi i potencialit të brendshëm nuk mjafton për ta zgjidhur problemin: pa migracion, nuk dalim dot nga kjo krizë, tha ministri. Ai njoftoi se qeveria do të parashtrojë qysh në mars një projektligj të ri për migracionin.

Projektligji, synon lehtësimin e mërgimit të fuqisë punëtore nga vendet e treta. Risia kryesore e këtij projektligji është e ashtuquajtura “kartë shansesh”, që do të thotë një vizë njëvjeçare për të kërkuar punë në Gjermani. Viza jepet në bazë të një sistemi pikësh, që mund të mblidhen, bazuar në katër kritere:  njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Kështu për shembull, sipas draftit aktual, gjashtë pikë mjaftojnë për të marrë një vizë njëvjeçare për të kërkuar punë në Gjermani. Katër pikë i merr nëse ke një kualifikim profesional, tri pikë nëse ke së paku tre vjet përvojë pune, tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.

Për njohuri të mjaftueshme të gjuhës merren dy pikë, dy pikë jepen edhe për moshat nën 35 vjeçare ose për ata që kanë vetëm dy vjet përvojë pune. Një pikë e merr për lidhjen me Gjermaninë, pra, nëse më parë ke banuar në mënyrë të rregullt për së  paku gjashtë muaj në Gjermani.

Një tjetër element i projektligjit të ri është rritja e kontingjentit të punëtorëve që vijnë me rregulloren e Ballkanit Perëndimor. Sipas draftit që ka DW është parashikuar, që ky kontingjent të dyfishohet, nga 25 000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë në vit. Heil tha (20.012023) në Bundestag se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Si rritja e kontingjentit ashtu edhe heqja e afatit janë dy masa që përputhen jo vetëm me nevojën e tregut gjerman për fuqi punëtore, por edhe me dëshirën e shtetasve të këtyre vendeve për të emigruar në Gjermani. Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, konsullatat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë në vitin 2022, 25 000 viza sipas kësaj rregulloreje, duke shteruar kështu kontingjentin e përcaktuar nga ligji. DW

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat