Bota Postuar më 9 Shtator 2023, 11:28

Mbi 600 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Marok - Me magnitudë 6,8. Dëmtohen edhe ndërtesat historike në Marrakech

Nga SCAN TV
Mbi 600 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Marok - Me

Një tërmet i fuqishëm goditi Marokun të premten në mbrëmje, duke vrarë qindra njerëz dhe dëmtuar ndërtesa në fshatrat pranë maleve Atlas, deri në qytetin historik të Marrakech. Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se tërmeti kishte një magnitudë paraprake prej 6.8 ballë dhe zgjati disa sekonda. Agjencia amerikane raportoi se një pasgoditje me magnitudë 4.9 ballë u regjistrua 19 minuta më vonë.

Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetit Ighil në provincën Al Haouz, afërsisht 70 kilometra në jug të Marrakech.

Ministria e Brendshme deklaroi të shtunën në mesditë se mbi 600 persona kanë vdekur, kryesisht në Marrakech dhe pesë provinca pranë epiqendrës së tërmetit. 329 persona të tjerë u plagosën. Shifrat e viktimave pritet të rriten më shumë, ndërsa kërkimet vazhdojnë.

Banorët e frikësuar kaluan natën jashtë banesave, ndërsa skuadrat e shpëtimit kanë punuar për të nxjerrë nga rrënojat njërëzit. Rrugët që të çojnë në rajonin malor pranë epiqendrës së tërmetit ishin të bllokuara me automjete dhe gurë, çka ngadalëson përpjekjet e shpëtimit.

Mediat marokene raportuan se xhamia Koutoubia e shekullit të 12-të në Marrakech, një nga monumentet më të famshme të qytetit, pësoi dëmtime të rënda. Minarja e saj 69 metra e lartë njihet si "çatia e Marrakech".

Dëmtime të pariparueshme kanë pësuar edhe muret e kuqe që rrethojnë qytetin e vjetër në Marrakech, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Dorian Koça / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat