Bota Postuar më 19 Maj 2024, 10:38

Liderët europianë duhet të zgjohen - Bota ka ndryshuar në aspektin gjeopolitik dhe ekonomik

Nga SCAN TV
Liderët europianë duhet të zgjohen - Bota ka ndryshuar në

Kur Xi Jinping erdhi në Paris pesë vjet më parë, për një vizitë dypalëshe, Emmanuel Macron ftoi kancelaren e atëhershme të Gjermanisë, Angela Merkel, dhe Jean-Claude Juncker, në atë kohë president i Komisionit Evropian, që t'i bashkoheshin bisedimeve. Ata e takuan njeriun më të fuqishëm të Kinës si një ekip europian. Ndërkohë, në fillim të majit, Macron e priti përsëri Xi Jinping, por këtë herë gjermani i vetëm në tryezë ishte pasardhësja e Juncker, Ursula von der Leyen. Kancelari Olaf Scholz zgjodhi të qëndrojë larg këtij takimi.

Dhe kjo ishte për të ardhur keq. Mungesa e kancelarit Scholz në Elysee dobësoi mesazhin se “mbikapaciteti” i produkteve kineze po përmbyt tregjet europiane, që gjithsesi u përcoll me vendosmëri nga von der Leyen dhe nga presidenti i Francës, Macron. Kjo tregoi gjithashtu se sa e vështirë është për disa liderë perëndimorë të kuptojnë ndryshimet e thella të shkaktuara nga Covid-19 dhe pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Deri në vitin 2022, Franca dhe Gjermania kishin ndjekur të njëjtën politikë të vetëkënaqur ndaj Rusisë. Megjithatë, mësimet që liderët e tyre nxjerrin nga ato gabime janë të ndryshme.

Reagimi i menjëhershëm i Berlinit ndaj sulmeve të Moskës në Ukrainë në shkurt 2022, i pasqyruar në fjalimin e guximshëm të kancelarit  që sinjalizonte një "epokë të re", u lavdërua me të drejtë. Gjermania kishte investuar aq shumë në marrëdhëniet e saj me Rusinë, saqë mund të parashikohej vetëm një shkëputje e pastër, megjithëse e dhimbshme. Brenda një viti, Gjermania u çlirua nga varësia e saj jo e shëndetshme nga gazi rus. U ngrit një pikëpyetje e madhe: a do të ndiqte të njëjtën logjikë ekonomia më e madhe e BE-së në marrëdhëniet e saj me Kinën?

Të dhënat e Scholz deri më tani sugjerojnë të kundërtën. Ndërsa BE-ja ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj Kinës, kancelari ka marrë një qasje të vetme, duke refuzuar sugjerimin e Macron për një vizitë të përbashkët në Pekin në vitin 2022.

Muajin e kaluar, Scholz nuk i informoi kolegët e tij në Këshillin Europian për udhëtimin e dytë në Kinë, kur u takuan në Bruksel një ditë pas kthimit të tij. Ai u takua me Xi Jinping për më shumë se tre orë, por bëri pak deklarata publike, të karakterizuara nga një ton pajtues.

Mungesa e dukshme e ministrave të punëve të jashtme dhe të ministrave të ekonomisë nga delegacioni i kancelarit, që përfshinte 12 përfaqësues të kompanive të mëdha gjermane, ishte një mesazh në vetvete. Dy ministrat, të dy anëtarë të të Gjelbërve, janë shumë më të ashpër ndaj Kinës dhe ndaj luftës në Ukrainë. Kjo tregon për natyrën politike të debatit mbi ndikimin e Kinës në Gjermani.

Siç ishte rasti për Rusinë, socialdemokratët e Scholz, ose të paktën disa drejtues të partisë, duken të mbërthyer pas një vizioni të shekullit të 20, që është angazhimi përmes marrëdhënieve ekonomike, një trashëgimi e Ostpolitikës së Willy Brandt. “Varësia strukturore ekonomike e Gjermanisë nga Kina është në qendër të kësaj marrëdhënieje”, deklaron Abigaël Vasselier, ekspert pranë institutit Merics, me qendër në Berlin. “Scholz e drejtoi këtë vizitë sikur të mos kishte ndodhur Covid dhe lufta në Ukrainë, sikur të mos ishte një çështje varësia strategjike”, shton ai.

Ky vizion anashkalon një tjetër ndryshim strukturor që po ndodh në ekonominë globale. Në një raport të botuar vetëm disa ditë para udhëtimit të Scholz në Kinë, kompania gjermane e sigurimeve, Allianz, paralajmëroi se Gjermania dhe Kina po kalonin “nga plotësues në zëvendësim”, me disa kompani kineze që kanë rritur zinxhirin e vlerës, duke tejkaluar bizneset gjermane.

Këto janë lloji i ndryshimeve që Macron kishte në mendje kur, në mënyrën e tij të zakonshme dramatike, deklaroi në një fjalim muajin e kaluar se BE-ja ishte në rrezik “vdekjeje”. Ashtu si Scholz dhe Merkel, edhe lideri francez prej kohësh kishte besimin se angazhimi me Vladimir Putin ishte receta e duhur, derisa ngjarjet e detyruan atë të përballej me realitetin. Sot ai thotë se nevojitet një ndryshim më radikal, në të gjitha frontet.

Një qëndrim më i ashpër ndaj Kinës është më i lehtë për Francën, kompanitë e së cilës kanë një prani më të ulët atje sesa kompanitë gjermane. Por qëndrimi i Macron si ndaj Kinës ashtu edhe ndaj Rusisë, shumë në përputhje me pikëpamjet aktuale të Komisionit Europian, buron nga e njëjta filozofi: bota ka ndryshuar, kryesisht për keq, dhe Europa duhet të jetë shumë më e fuqishme për t'iu kundërvënë këtyre tendencave negative.

Të përfshira në tendenca të tilla janë edhe dy fuqitë më të mëdha të globit, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, që “nuk respektojnë më rregullat” e tregtisë ndërkombëtare. Macron predikon “paqartësi strategjike” me Rusinë, ngre mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë dhe promovon mbrojtje më të fortë europiane, që mund të financohet vetëm nga eurobondet. “Europa duhet të mbrojë veten dhe të mendojë në mënyrë strategjike”, shprehet Macron.

Pjesa më e madhe e kësaj teze është një mallkim për kancelarin Scholz dhe për disa liderë të tjerë europianë. Ka vend për debat mbi idetë e Macron, pasi ndërsa Franca është një fuqi bërthamore, ajo nuk ka levën ekonomike të Gjermanisë. Por kapja pas një paradigme të vjetëruar nuk do t'i bëjë përshtypje presidentit rus, Vladimir Putin, atij kinez Xi Jinping apo presidentit të mundshëm amerikan, Donald Trump, të çliruar nga zgjedha e rendit të vjetër ndërkombëtar.

Lidion Kulla / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat