Shqipëria Postuar më 11 Maj 2025, 08:00

Si ndikojnë zgjedhjet në ekonomi?!

Nga Ledina Elezi

Si ndikojnë zgjedhjet në ekonomi?!

Në zgjedhjet e vitit 2025 në Shqipëri, panorama ekonomike paraqitet në dukje e qetë, me një rritje ekonomike dhe inflacion të qëndrueshëm, si dhe investime të huaja në rritje. Rritja ekonomike, edhe pse më e ngadaltë se një vit më parë, mbetet në nivele të qëndrueshme, ndërsa inflacioni u ul në fillim të vitit, duke ruajtur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe stabilitetin monetar, për t'u rritur sërish në muajin prill. Investimet e huaja direkte vijojnë të rriten, që dëshmon për një besim të lartë të investitorëve ndërkombëtarë në klimën ekonomike të vendit.

Rritja e ndjeshme e pagave, veçanërisht në sektorin publik, ndikon në përmirësimin e standardit të jetesës, ndërsa tregtia e jashtme shfaq balanca më të mira dhe një deficit më të ulët. Këto zhvillime e vendosin Shqipërinë përballë zgjedhjeve në një klimë me stabilitet ekonomik, besim në tregje dhe përmirësim të treguesve kryesorë makroekonomikë.

Përgjatë këtyre muajve, rritja ekonomike, megjithëse pozitive, është më e ngadaltë sesa vitin e kaluar. Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rritja ekonomike në 2025 pritet të jetë vetëm 3.7%. Vlerësime të ngjashme jep edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 3.8% përgjatë këtij viti.

Ndërkohë, viti 2024 u mbyll me një rritje më të lartë ekonomike, prej 3,96% konkretisht. Në tremujorin e katërt, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me me  3,63%, i nxitur kryesisht nga shërbimet publike, tregtia, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, ndërsa industria dhe bujqësia kontribuan negativisht.

Nga ana tjetër, bilanci tregtar ka njohur një përmirësim të dukshëm. Në janar-mars, eksportet e mallrave arritën vlerën 100 mld lekë, duke u rritur me 4,7%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 202 mld lekë, duke u ulur me 3,5%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 102 mld lekë, duke u ulur me 10,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024. 

Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri vazhdojnë të jenë një nga motorët kryesorë të ekonomisë. Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri vazhdojnë të jenë një nga motorët kryesorë të ekonomisë. Në vitin 2024, ato arritën në 1.6 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 5.6%. Stoku i investimeve të huaja u rrit me 16%, duke arritur në 62.1% të PBB-së. Megjithatë, struktura e këtyre investimeve mbetet e përqendruar: pasuritë e paluajtshme janë sektori më tërheqës, ndërsa bujqësia, një sektor me potencial të madh për zhvillim rural dhe punësim, mbetet në periferi të interesit investues. Turqia kryeson si burimi kryesor i investimeve, me 16.2% të totalit ose 257.3 milionë euro, ndjekur nga Italia (12.6%) dhe Holanda.

Një nga treguesit më të qartë të përmirësimit të kushteve ekonomike gjatë vitit 2024 ishte rritja e ndjeshme e pagave. Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 83,401 lekë, me një rritje prej 18% krahasuar me vitin pararendës. Kjo rritje përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të fuqizimit të fuqisë blerëse të qytetarëve dhe përmirësimit të mirëqenies së tyre ekonomike. Pagat e sektorit publik u rritën më shpejt se privati. 

Për sa i përket inflacionit, ai ra ndjeshëm në fillim të vitit. Në fillim të vitit 2025, inflacioni qëndroi në nivelin 1.9%, më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur shënonte 2.6%. Megjithëse inflacioni u rrit në muaijn prill, ai vazhdon të mbetet nën objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Kjo e vendos Shqipërinë në një pozicion më të favorshëm krahasuar me vendet e rajonit dhe e ndihmon Bankën e Shqipërisë të mbajë një politikë monetare të qëndrueshme.

Por si ndikojnë zgjedhjet në ekonomi?

Është normale që në çdo vit zgjedhor, qeveritë të rrisin më tepër shpenzimet publike.

Për shembull, në buxhetin e këtij viti, investimet publike shënojnë nivelin rekord të 6.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shpenzimet kryesore shkojnë për financimin e skemës së sigurimeve shoqërore, duke përfshirë këtu edhe indeksimin e pensioneve. Ndërkohë, zëri i dytë më i madh në shpenzimet  e buxhetit janë kostot e personelit, së bashku me ato operative për funksionimin e administratës.

Gjatë këtij viti, ka edhe një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për pushtetin vendor.

Shpenzimet më të madhe buxhetore shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke përfshirë këtu edhe ndihmën që jepet për kategori të caktuara, si pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, të papunët etj. Më pas vjen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për shkak të rritjes së fondeve për investimet në infrastrukturë. Më pak fonde do të jepen për Ministrinë e Bujqësisë, sektor që edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk do të ketë vëmendje të madhe buxhetore.

Proceset zgjedhore kanë një ndikim edhe në kursin e këmbimit. Periudhat zgjedhore shpesh shoqërohen me luhatje të kursit të këmbimit, për shkak të pasigurisë politike dhe rritjes së kërkesës për valutë. Megjithatë, historikisht, pas zgjedhjeve ndodh një stabilizim i menjëhershëm i tregut valutor.

Gjithashtu, disa masa të lidhura me pasuritë e paluajtshme, si shtyrja e rivlerësimit të pronave për pas zgjedhjeve, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve në tregun e banesave, duke nxitur blerjet në mënyrë spekulative përpara vendimeve të reja fiskale.

Pikërisht në këtë kontekst zhvillohet gara politike, me një ekonomi e cila po performon mirë, por me sfida të tjera përpara, dhe mes premtimeve për rritje të mëtejshme.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Shqipëria 11 Maj Ledina Elezi

Si ndikojnë zgjedhjet në ekonomi?!

Në zgjedhjet e vitit 2025 në Shqipëri, panorama ekonomike paraqitet në dukje e qetë, me një rritje ekonomike dhe inflacion të qëndrueshëm, si dhe investime......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 11 Maj Ledina Elezi

Si ndikojnë zgjedhjet në ekonomi?!

Në zgjedhjet e vitit 2025 në Shqipëri, panorama ekonomike paraqitet në dukje e qetë, me një rritje ekonomike dhe inflacion të qëndrueshëm, si dhe investime......