Shqipëria Postuar më 30 Qershor 2025, 14:57

Shpenzimet për mbrojtjen mes NATO-s dhe rivalëve - Si renditen vendet e aleancës perëndimore me Rusinë dhe Kinën?

Nga Lidion Kulla

Shpenzimet për mbrojtjen mes NATO-s dhe rivalëve - Si renditen vendet

Përpara se të fillonte samiti vjetor i NATO-s këtë javë, aleatët ranë dakord që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5% të produktit të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2035. Megjithatë, arritja e këtij objektivi është një çështje tjetër dhe një objektiv i vështirë. 

Shifra prej 5% përbëhet nga 3.5% e PBB-së që duhet të shpenzohet për mbrojtjen ekskluzivisht, dhe një shtesë prej 1.5% të PBB-së që do të shkojë për infrastrukturën e lidhur me sigurinë, siç janë aftësitë e luftës kibernetike dhe shërbimet e inteligjencës.

Vendimi i aleancës ushtarake perëndimore më 22 qershor - kur ambasadorët e NATO-s thuhet se ranë dakord në parim për një tekst kompromisi mbi rritjen e shpenzimeve - sugjeron se shtetet anëtare janë të gatshme ti pranojnë, të paktën publikisht, kërkesat e Uashingtonit që aleatët të japin kontributin e tyre, kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë.

Por një grafik, i bazuar në vlerësimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes të anëtarëve në vitin 2024, tregon se sa i vështirë do të jetë një objektiv prej 5% për 32 shtetet anëtare, me disa që po përpiqen të përmbushin ende paktin e vitit 2014 për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtje.

Shpenzimet e mbrojtjes kanë qenë prej kohësh një temë e vështirë për anëtarët e NATO-s dhe një burim i vazhdueshëm pakënaqësie për Presidentin e SHBA-së Donald Trump, i cili kërkonte që aleatët të dyfishonin objektivat e tyre të shpenzimeve nga 2% në 4% të PBB-së që në vitin 2018, në mandatin e tij të parë. Megjithatë, shpenzimet e mbrojtjes janë rritur ndjeshëm mes anëtarëve të NATO-s, që nga ajo kohë. Në atë periudhë, dhe ndoshta në kulmin e acarimit të udhëheqësit të Shtëpisë së Bardhë me bllokun, vetëm gjashtë shtete anëtare përmbushën objektivin prej 2%, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Por kohët kanë ndryshuar; deri në fund të vitit 2024, 23 anëtarë kishin arritur pragun prej 2%, sipas të dhënave të NATO-s.

Megjithatë, ndërsa disa të tjerë e kanë tejkaluar shumë atë objektiv - si Polonia, Estonia, SHBA-ja, Letonia dhe Greqia - ekonomitë e mëdha, përfshirë Kanadanë, Spanjën dhe Italinë, kanë mbetur nën pragun e kontributit prej 2%. Asnjë anëtar i NATO-s nuk e ka arritur deri më tani, objektivin e shpenzimeve prej 5% dhe disa prej tyre ka shumë të ngjarë të vonohet akoma më shumë.

Spanja ka këmbëngulur tashmë kundër rritjes së shpenzimeve, me kryeministrin Pedro Sanchez që deklaori se Madridi zyrtar nuk do të duhej të përmbushte objektivin prej 5%, pasi do të duhej të shpenzonte vetëm 2.1% të PBB-së për të përmbushur kërkesat kryesore ushtarake të NATO-s.

“Ne e respektojmë plotësisht dëshirën legjitime të vendeve të tjera për të rritur investimet e tyre në mbrojtje, por ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha Sanchez në një fjalim në televizionin spanjoll. Javën e kaluar u raportua se Sanchez e quajti rritjen jo vetëm “të paarsyeshme, por edhe kundërproduktive”.

Italia është një tjetër vend që mund të ketë vështirësi në përmbushjen e objektivit prej 5%. Në maj, qeveria njoftoi se sapo kishte arritur pragun prej 2%, ndërsa Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, vuri në dyshim rëndësinë e aleancës, duke deklaruar se NATO “siç është, nuk ka më arsye të ekzistojë”. Ndërkohë, Kanadaja ka thënë se do ta përmbushë objektivin prej 2% deri në mars 2026, ndërsa më parë kishte thënë se do ta përmbushte objektivin deri në vitin 2030.

Edhe vendet që po i përmbahen objektivit prej 5%, si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, që thonë se janë në favor të rritjes, mund ta kenë të vështirë ta arrijnë, duke pasur parasysh presionet ekonomike në vend. Britania thuhet se ka kërkuar një shtyrje prej 3 vitesh të afatit për rritjen e buxhetit në 5%.

Disa vende të tjera, janë më përpara kur bëhet fjalë për rritjen e shpenzimeve. Polonia, në krahun lindor të aleancës dhe e shqetësuar nga lufta e vazhdueshme e Rusisë në Ukrainën fqinje, thotë se është tashmë në rrugën e duhur për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtjen.

Në vitet e fundit, Polonia i ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe qëndron në krye të vendeve të NATO-s, në 4.1% të PBB-së.

Ndërkohë, Estonia, e cila gjithashtu ndan një kufi me Rusinë, ka miratuar një program investimesh në mbrojtje që pritet të rrisë buxhetin e saj vjetor në një mesatare prej 5.4% të PBB-së nga viti 2026 deri në vitin 2029.

Shqipëria ndërkohë, është mes vendeve që e ka arritur objektivin e vendosur në vitin 2014, për shpenzime në mbrojtje prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa në samitin e Hagës, kryeministri Edi Rama tha se diskutoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi investimin madhor në Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për ndërtimin e terminalit ushtarak.

Vendet e NATO-s shpenzuan mbi 1.3 trilion dollarë për mbrojtjen bazë në vitin 2024, nga rreth 1 trilion një dekadë më parë me çmime konstante të vitit 2021. Nëse vendet e NATO-s do të kishin shpenzuar të gjitha 3.5% të PBB-së për mbrojtje vitin e kaluar, kjo do të kishte arritur në rreth 1.75 trilion dollarë.

Lufta e vazhdueshme e Moskës në Ukrainë, shqetësimet rreth një kërcënimi të mundshëm në të ardhmen nga Rusia dhe presioni nga Uashingtoni kanë bërë që shumë kryeqytete europiane të rrisin investimet në mbrojtje dhe të planifikojnë t'i rrisin ato edhe më tej gjatë viteve të ardhshme. Europa po përgatitet gjithashtu për mundësinë që SHBA-të të tërheqin disa nga trupat dhe kapacitetet e tyre nga kontinenti.

Por, si krahasohet objektivi i NATO-s me shpenzimet e mbrojtjes të vendeve të tjera? Aleatët i kushtojnë mbrojtjes një pjesë shumë më të vogël të prodhimit të tyre ekonomik sesa Rusia, por - të marra së bashku - ata shpenzojnë dukshëm më shumë sesa Moska.

Shpenzimet ushtarake të Rusisë u rritën me 38% në vitin 2024, duke arritur në rreth 149 miliardë dollarë apo 7.1% të PBB-së, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Kina, që është në vendin e dytë në botë përsa i përket shpenzimeve ushtarake, i dedikoi mbrojtjes rreth 1.7% të PBB-së vitin e kaluar.

Shpërndarja e pabarabartë gjeografike e rritjes së shpenzimeve ushtarake në të gjitha shtetet europiane mund të shkaktojë fërkime mes liderëve. Megjithatë, shpenzimet më të mëdha të mbrojtjes do të adresojnë në çdo rast vetëm një pjesë të një sfide më të thellë për marrëdhënien transatlantike, me mosmarrëveshje mbi ndarjen e barrës ushtarake, deficitet tregtare dhe politikat ndaj Kinës, që kërcënojnë gjithashtu marrëdhëniet mes aleatëve.

Shpenzimet për mbrojtjen mes NATO-s dhe rivalëve - Si renditen vendet

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat