Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2025, 13:15

'Reforma dha atë që pritej nga Shqipëria' - Gonzato: SPAK institucion themelor, të ndalet presioni ndaj Drejtësisë!

Nga Edel Strazimiri

'Reforma dha atë që pritej nga Shqipëria' - Gonzato:

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, “reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë, llogaridhënies dhe ka dhënë edhe një kontribut shumë të madh për ecurinë që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE”.

Ai theksoi se, ka ende shumë punë për të bërë, veçanërisht në zbatimin e kësaj reforme, por shtoi Gonzato, “vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë institucionet përkatëse duke përfshirë institucionet e pavarura të drejtësisë të vazhdojnë të punojnë duke pasur këtë synim në mendje”.

Në fjalën e tij në tryezën e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”, Gonzato vlerësoi se kjo reformë ka krijuar një balancë mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, por shtoi se nevojitet ende shumë punë për zbatimin e plotë të saj.

“Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë“, u shpreh ambasadori. Gonzato foli edhe për ecurinë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në vlerësimin e prokurorëve sipas performancës, ndërsa theksoi se kriteret si efikasiteti, etika dhe aftësitë menaxheriale duhet të shqyrtohen në mënyrë të strukturuar.

Ai tha se përgjegjësia për llogaridhënie nuk i takon vetëm KLP-së, por edhe institucioneve si ILD dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilat po forcojnë bashkëpunimin për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në dorë që të bëjë vlerësimin e performancës së prokurorëve, sipas treguesve të caktuar dhe të rishikojë raportet vjetore të Prokurorisë”, tha ai.

Por, shtoi ai, “aktivitetet hetimore në vetvete nuk duhet të jenë objekt vetëm i mbikëqyrjes së pakufizuar të KLP-së, sepse sa i përket interesit publik KLP-ja nuk është forumi i duhur sa i përket llogaridhënies së prokurorëve për hetimet, sepse çështjet disiplinore që rrjedhin nga shkelje ligjore apo sistemike janë pjesë e kompetencave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim KLP-ja”.

Gonzato theksoi se, “kjo ndarje është shumë e rëndësishme, sepse bën një dallim të fortë ndërmjet performancës rutinë, nëpërmjet vlerësimeve dhe atyre që janë procedurat disiplinore, që në fakt është tjetër mandat”.

“Të kuptuarit e këtij roli është shumë i rëndësishëm dhe themelor për sa i përket llogaridhënies dhe integritetit. Ndërsa sa i përket raportimit të rregullt nga institucionet e drejtësisë përfshirë SPAK-un, procedurat parlamentare janë të qarta. Përveç këtij viti zgjedhor, raportimi ka qenë gjithmonë në vijimësi”, tha Gonzato.

Natyrisht, shtoi ai, “është prerogativa, parakushti i Kuvendit që të përcaktojë nivelin e angazhimit për këto raporte, që do të thotë që çdo vit Kuvendi miraton rezoluta në të cilat tregohen qartë kushtet dhe hapat që duhen ndjekur në mënyrë që këto institucione të bëjnë raportimet e tyre. Kjo është në dorën e Kuvendit dhe këtë duhet të bëjë Kuvendi”.

Megjithatë, vijoi Gonzato, “kjo lloj llogaridhënie nuk mund të jetë në dëm të pavarësisë së këtyre organeve, sepse legjislatori dhe këto institucione janë të pavarura dhe nuk mund të jenë të varura nga njëra-tjetra. Sigurisht që ka hapësirë për përmirësime, sepse vetë deputetët mund të angazhohen në formë më konkrete dhe me më shumë hollësi për këto raporte institucionale në interes të publikut”.

Duke theksuar disa nga raportet e mëparshme vjetore të BE-së, Gonzato tha se, “KLP-ja ka pasur ecuri në miratimin e rregullores së vetë të brendshme dhe tashmë po punon për të fuqizuar mekanizmat për konfliktin e interesit. Kjo është një çështje që duhet bërë në formë urgjente. Komunikimi strategjik, qoftë ky nga sistemi i Prokurorisë apo nga Prokuroria e Posaçme, duhet të përmirësohet”.

Gonzato nënvizoi se, “kjo aftësi është themelore dhe jetike për besimin e publikut”. Ne gjithashtu, shtoi ambasadori, “kemi rekomanduar edhe përafrimin e procedurave të emërimit për anëtarët jomagjistratë të KLP-së dhe të KLGJ-së me ato të anëtarëve magjistratë, që do të thotë, të njëjtat kontrolle të pasurisë dhe të historikut përpara emërimit”.

“Ne mendojmë që procedura stabël ligjore që sigurojnë këto mekanizma të barabartë është thelbësore. Transparenca në emërime, promovime dhe vlerësime duhet të fuqizohet gjithashtu”, tha ai. “Sigurisht që ekzistojnë dhe shqetësime për privatësinë, por publiku meriton që të ketë një mbikëqyrje të elementëve që garantojnë profesionalizëm, mungesën e nepotizmit dhe integriteti në gjyqësor”, theksoi Gonzato.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat