Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2025, 14:30

“Gjobat për mjedisin nuk vilen” - Qirjo: 23 mln euro të paarkëtuara. Dëmet procedohen si kundravajtje, jo si krime 

Nga Ola Mitre

“Gjobat për mjedisin nuk vilen” - Qirjo: 23 mln euro të

Shkeljet e ligjit që mbron mjedisin natyror, tokën, ujin, pyjet, ajrin etj., janë një realitet i përditshëm dhe flagrant, por vendosja e drejtësisë duket më shumë një mirazh juridik”.

Ky është konkluzioni i një serie prej pesë studimesh të thelluara, të prezantuara nga një koalicion organizatash të shoqërisë civile të udhëhequra nga Qendra Burimore e Mjedisit (REC Shqipëri), të cilat kanë skanuar çdo hallkë të sistemit, nga inspektorët e terrenit deri te gjyqtarët e Apelit.

Gjetjet zbulojnë se mbi 90% e dëmeve në mjedis janë proceduar si kundravajtje administrative, por edhe kur sistemi administrativ tenton të veprojë përmes gjobave, ato nuk vilen.

“Vetëm 11.4% e gjobave arkëtohen realisht, duke lënë miliona euro dëm financiar të parikuperuar dhe autorët të pandëshkuar. Llogaritet se mbi 10 milion Euro gjoba administrative dhe 13 milion vlerë dëmi të shkaktuar në fondin pyjor (2014-2017),  janë të pa arkëtuara”, - u shpreh Mihallaq Qirjo, drejtor ekzekutiv i Qendra Burimore e Mjedisit (REC Shqipëri).

Seria e studimeve gjeti se Policia e Shtetit, duket se vuan nga varfëria teknike, teksa mungesa e ekspertëve të atashuar pranë organeve hetimore dhe laboratorëve shkencorë për kryerjen e akt-ekspertimit dhe përcaktimin e shkallës së dëmit mjedisor, bën që shpesh organet e hetimit të dështojnë në sigurimin e provave shkencore, vendimtare për fatin e procesit të hetimit dhe gjykimit.

Mungesa e provave, shpesh bën që prokuroria të shndërrohet në një “arkivë” për kallëzimet mjedisore, teksa paradoksi thellohet në dyert e gjykatave, ku drejtësia për mjedisin është e vonuar dhe pa prioritet, me çështje që zënë një volum të papërfillshëm prej 0.25% në Gjykatën e Apelit. Sipas Qirjos, për fat të keq, edhe media, e cila duhet të shërbente si rojtare e interesit publik, ka dështuar të ushtrojë presion, duke ofruar raportim sipërfaqësore.

“Ky raport vjen si një këmbanë alarmi për shoqërinë, ligjvënësit dhe ekzekutivin. Mjedisi nuk është dekor, por baza e jetës dhe e ekonomisë, dhe pa drejtësi mjedisore, funksionaliteti i shtetit ligjor mbetet i kompromentuar”, - tha ai.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat