Shqipëria Postuar më 2 Dhjetor 2025, 09:31

Problemet e sigurisë rrugore - Komuniteti i Transportit: Shqipëria dhe rajoni përmirësim, por jo në standardet e BE

Nga Ola Mitre

Problemet e sigurisë rrugore - Komuniteti i Transportit: Shqipëria dhe

Numri i viktimave në aksidentet rrugore në Ballkanin Perëndimor ra me 2.9% gjatë vitit 2024, por ritmi i përmirësimit mbetet poshtë objektivave të vendosura për vitin 2030.

Sipas raportit të sapopublikuar nga Komuniteti i Transportit për vitin 2024, në gjashtë vendet e rajonit u regjistruan gjithsej 1,225 humbje jete, nga 1,261 një vit më parë. Shqipëria shënoi një ulje prej 8.9%, duke regjistruar 175 viktima, nga 192 në 2023.

Rënie të numrit të viktimave raportuan edhe Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa situata është përkeqësuar në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ku janë regjistruar rritje respektive prej 11.8% dhe 2.2%.

Raporti tregon se, megjithëse trendi është pozitiv, Ballkani Perëndimor mbetet larg standardeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2024, rajoni regjistroi nivele të vdekshmërisë shumë mbi mesataren e BE-së prej 45 viktimash për 1 mln banorë, duke u përballur me problematika të theksuara si mungesa e mbikëqyrjes, mjetet e vjetruara, shpejtësia dhe mosvendosja e rripit të sigurimit.

Komuniteti i Transportit thekson se vendet e rajonit nuk po ecin me ritmin e kërkuar për të përmbushur objektivin rajonal: reduktim me 25% deri në vitin 2027 dhe 50% deri në vitin 2030. Aktualisht, niveli i zbatimit të planit rajonal të sigurisë rrugore vlerësohet vetëm në 55%.

Raporti kërkon forcimin e institucioneve përgjegjëse, harmonizim të legjislacionit me direktivat e BE-së, investime në infrastrukturë më të sigurt dhe përmirësim të sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Sipas dokumentit, vetëm me një qasje të integruar “Safe System”, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të arrijnë objektivat dhe të shpëtojnë më shumë jetë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat