Shqipëria Postuar më 1 Dhjetor 2025, 12:55

Paga 60.000-160.000 lekë në sektorin e ndërtimit - Referencat, DPT: Kontrolle të shtuara ndaj bizneseve që paguajnë më pak

Nga Fabjona Pasho

Paga 60.000-160.000 lekë në sektorin e ndërtimit - Referencat,

Bizneset në sektorin e ndërtimit që i paguajnë punonjësit më pak se paga indikative, e përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t'u nënshtrohen një kontrolli më të thelluar tatimor, në kuadër të luftimit të informalitetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dalë me një njoftim zyrtar ku informon të gjithë tatimpaguesit e sektorit të ndërtimit, se në kuadër të zbatimit të planit sektorial të ndërtimit dhe rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore në funksion të rritjes së pensioneve, Administrata Tatimore do të analizojë pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesa.

Gjithashtu, nën lupë do të jenë edhe subjektet kur ndryshimi i profesionit përdoret për të ulur artificialisht nivelin e pagës.

Për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve, analiza do të ketë si element krahaues pagat indikative të profesioneve në sektorin e ndërtimit.

Në listën e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, jepen pagat indikative për profesione si administrator/menaxher, arkitekt, inxhinier, elektricist, murator, suvatues, shtrues pllakash, sanitar, shofer kamioni, operator vinçi e të tjerë. Paga më e ulët është 60,000 lekë për sanitarin dhe varion deri në 85,000 lekë për bojaxhiun/magazinierin, 95,000 lekë për elektricistin/hidraulikun, 90,000 lekë për muratorin/suvatuesin/shtruesin e pllakave, 100,000 lekë për teknikun e ndërtimit/shoferin e kamionit, 115,000 lekë për inxhinierin, 140,000 lekë për administratorin/drejtorin/menaxherin, deri në 160,000 lekë për operatorin e vinçit.

Çdo tatimpagues që pagën e punonjësit të tij të deklaruar, për profesionet e sipërpërmendura ose të ngjashme me to, do ta ketë nën nivelin e pagës indikative, do të konsiderohet me risk dhe do të bëhet objekt i verifikimeve të thelluara.

Pra, nëse një murator paguhet më pak se 90.000 lekë në muaj nga një biznes që ushtron aktivitet në fushën e ndërtimit, ky biznes ka risk më të lartë për penalitete.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat