Shqipëria Postuar më 13 Gusht 2025, 11:48

Cilat janë mashtrimet që mund t’ju zbrazin llogaritë bankare? - Sadiku: Bankat nuk kërkojnë kurrë të dhëna personale sensitive përmes mesazheve

Nga Ledina Elezi

Cilat janë mashtrimet që mund t’ju zbrazin llogaritë

A ju kanë ardhur email-e apo mesazhe në telefon nga numra që hiqen si të bankës, me linqe që ju kërkojnë të dhënat bankare? Nëse po, kjo ka qenë një përpjekje për të vjedhur paratë në llogarinë tuaj bankare, duke përdor metoda si phishing apo smishing.

Sipas Specialistes së Hetimit të Incidenteve Kibernetike nga AKSK, Eriola Sadiku, hakerët përdorin mesazhe të sofistikuara dhe të vërteta në pamje, duke i bërë qytetarët të mendojnë se janë duke komunikuar me bankën e tyre, me qëllim mashtrimi.

“Këto mesazhe shpesh përmbajnë lidhje të dyshimta që ju kërkojnë të klikoni për të "konfirmuar" ose "verifikuar" diçka, mund të jenë në trajten e kërcënimeve për mbyllje të llogarisë, ose premtime për shpërblime dhe dhurata të rreme. Kur qytetari klikon në këto lidhje, mund të dërgojë informacionet e tij sensitive, si numrin e kartës, fjalëkalimin ose PIN-in, që dërgohen më pas në servera të paligjshëm të hakerëve. Këto të dhëna mund të përdoren për të kryer vjedhje financiare dhe aktivitete të tjera kriminale”, tha Sadiku.

Sipas saj, këto skema janë një mënyrë e shpejtë për të realizuar fitime të paligjshme. Shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm se po hyjnë në një faqe të rreme.

“Rastet e phishing janë shtuar për shkak të përdorimit gjithnjë e më të madh të shërbimeve online dhe të bankave digjitale. Hakerët përfitojnë nga mungesa e informacionit të qytetarëve, të cilët shpesh nuk janë të informuar se si të identifikojnë këto mesazhe të dyshimta. Është shumë e rëndësishme të theksohet se bankat kurrë nuk kërkojnë të dhëna personale sensitive përmes mesazheve SMS apo emaileve.”

Por cilat janë hapat që duhet të ndjekin qytetarët për të mos rënë pre e këtyre mashtrimeve? Sadiku shprehet se për të shmangur rënien pre e sulmeve phishing, është e rëndësishme që të kontrolloni gjithmonë URL-në/linkun e faqeve që vizitoni, duke u siguruar që të jetë e saktë dhe e besueshme, si dhe të shmangni klikimin në lidhje të dyshimta.

“Aktivizimi i verifikimit me dy faktorë është një masë shtesë sigurie që mund të mbrojë llogaritë tuaja, ndërkohë që përdorimi i fjalëkalimeve të forta dhe të ndryshme për çdo llogari do t'ju ndihmojë të mbroni informacionet. Mos ndani kurrë informacione personale sensitive si numra kartash, fjalëkalime ose kode njëpërdorimshme përmes lidhjeve të dyshimta, pasi bankat nuk kërkojnë të dhëna të tilla përmes mesazheve SMS apo email-eve. Gjithashtu, duhet të shmangni përdorimin e Wi-Fi publik për transaksione financiare dhe të kontaktoni drejtpërdrejtë institucionin për çdo mesazh të dyshimtë që merrni”, sugjeroi Specialistja.

Bazuar në statistikat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në gjysmën e parë të 2025 numërohen 43 incidente kibernetike. Sulmet më të shpeshta në tremujorin e dytë kanë qenë të tipit DDoS, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve publike, por edhe 4 tentativa phishing, spear phishing, 3 skanime të paautorizuara të rrjeteve e të tjera.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat