Kosova Postuar më 25 Tetor 2025, 09:38

Thellohet më tej deficiti tregtar në Kosovë/ Mbi 21%, rreth 100 milionë euro më shumë se vitin e kaluar

Nga Kristi Ceta

Thellohet më tej deficiti tregtar në Kosovë/ Mbi 21%, rreth 100

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë se në muajin shtator 2025 është shënuar një deficit tregtar prej 21,2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Deficiti arriti vlerën e 520,5 milionë eurove, krahasuar me 429,4 milionë euro vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) eksporti mbulon importin me vetëm 14.1%. Eksportet e mallrave në muajin shtator 2025 ishin 85,8 milionë euro, ndërsa importet 606,2 milionë euro. Kjo reflekton një rritje prej 10.7% për dërgesat dhe një zgjerim prej 19.6% për importet, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Grupet kryesore të shitjeve jashtë vendit përbëhen nga metalet bazë (19.1%), plastika dhe goma (12.5%), si dhe produktet minerale me 12.4%. Ndërsa mallrat më të importuara ishin produktet minerale (14.6%), makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike (11.3%), etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28,0 milionë euro, ose rreth 32.7% e totalit, me një rritje prej 2.6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania me 11.5%, Italia me 2.9% dhe Holanda (2.6%). Importet e Kosovës nga vendet e bllokut arritën rreth 249 milion euro, ose 41.1% e totalit të përgjithshëm, duke u zgjeruar me 17.3%. Gjermania renditej në krye me 12.7%, ndërsa Italia e dyta me 6.1%.

Ndërkaq në muajin shtator, dërgesat e Kosovës në vendet e CEFTA-s arritën në 40,6 milionë euro, ose 47.4% të vlerës së përgjithshme, me një rritje prej 21.4%. Partnerët kryesorë për eksporte nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (21,4%), Maqedonia e Veriut (11,0%), Serbia (8,4%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2025, arritën në 87,8 milionë euro, ose 14,5% të totalit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat