Shqipëria Postuar më 24 Tetor 2025, 13:35

Bizneset, kredi me shumicë për investime afatgjata - BSH: Vetëm 30% e përdorin për shpenzimet afatshkurtra operative të aktivitetit

Nga Ledina Elezi

Bizneset, kredi me shumicë për investime afatgjata - BSH: Vetëm

Bizneset marrin kredi kryesisht për të realizuar investime afatgjata. Sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, janë rritur bizneset që aplikojnë për kredi me qëllim realizimin e një investimi afatgjatë, ndërsa janë ulur në 30% ato për të përballuar shpenzimet afatshkurtra operative të aktivitetit.

Rreth 7% e ndërmarrjeve deklaron se e kanë marrë huanë për më shumë se një qëllim, ku dominon kombinimi i të dy qëllimeve të mësipërme, si dhe kombinimi për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra dhe shlyerjen e një huaje më të vjetër dhe kjo peshë ka qenë në rënie në të tre grupet e ndërmarrjeve.

Për shumicën e bizneseve, huaja zë 20% të të ardhurave të tyre. Për ta paguar atë, bizneset janë përpjekur që të ulin shpenzimet e tjera. Vetëm pak prej tyre kanë rritur çmimet e produkteve për të mbuluar kostot e kredisë, ndërsa vetëm 9% kanë përdorur rezervat. Po ashtu, edhe raporti hua/kapital rezulton të ketë rënë. Gati 81% e ndërmarrjeve raportojnë se vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e kapitalit të ndërmarrjes.

Rreth 73% deri në 74% e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe e atyre të mëdha, deklarojnë se huaja e marrë është e kolateralizuar vetëm me pasuri të paluajtshme, ndërsa pjesa tjetër e ndërmarrjeve ka përdorur forma të tjera kolateralizimi. Bizneset e mbetura pohojnë se huaja e marrë është e pakolateralizuar.

Po për sa i përket burimeve të huasë?

Në total, burimet formale të huamarrjes (nga banka dhe institucione financiare jobanka) janë përdorur nga 89% e ndërmarrjeve huamarrëse, duke shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar.

Të marrësh një hua në bankë nuk konsiderohet proces aq i vështirë si më parë nga bizneset. Paqartësia e kërkesave të bankës dhe procedurat burokratike, kosto e lartë financiare për të plotësuar kërkesat e bankës, nuk janë probleme aq të rëndësishme për të përfituar një kredi krahasuar me vitin 2024. Indeksi i vështirësisë së procesit të huamarrjes nga bankat në gjysmën e parë të këtij viti ka rënë në 0.34 për totalin e bizneseve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat