Europa Postuar më 29 Tetor 2025, 10:51

Grekët, të “distancuar” nga teknologjia - Rreth 70% e qytetarëve nuk e përdorin “IA” në punë

Nga Kristi Ceta

Grekët, të “distancuar” nga teknologjia - Rreth 70% e

Megjithëse pjesa më e madhe e qytetarëve grekë, rreth tetë në dhjetë, kanë dëgjuar për inteligjencën artificiale dhe aplikimet e saj, më shumë se tre në dhjetë deklarojnë se nuk janë aspak të informuar për këtë teknologji.

Sigurisht, këto përqindje nuk përbëjnë një veçanti helene, pasi tendenca të ngjashme regjistrohen edhe në pjesën tjetër të botës. Por në të njëjtën kohë, shumica e grekëve (68%) thonë se nuk e kanë përdorur kurrë teknologjinë në jetën profesionale, një tregues që inteligjenca artificiale po integrohet më ngadalë në ambientet e punës.

Sipas një sondazhi të Focus Bari, në të cilin morën pjesë 21 shtete, 83% e grekëve kanë dëgjuar për teknologjinë e re, krahasuar me 17% që deklarojnë të kundërtën. Ndërsa në mbarë botën, Zvicra, Meksika dhe Rumania e konsiderojnë veten të “informuara” për inteligjencën artificiale, në kontrast me vende si Nigeria, ku pothuajse gjysma e popullsisë deklaron se nuk ka njohuri mbi këtë çështje.

Për sa i përket Greqisë, 35% e qytetarëve e konsiderojnë veten shumë të informuar për teknologjinë e re, 32% mbajnë qëndrim neutral, ndërsa më shumë se tre në dhjetë nuk kanë aspak njohuri.

Në nivel global, pothuajse gjysma e njerëzve kanë përdorur inteligjencën artificiale në jetën e tyre të përditshme, por vetëm një në tre i përdor në mjedisin profesional. Teknologjia e re ka një përhapje veçanërisht të lartë në vendet si Kenia (75%), Meksika (63%) dhe Malajzia (58%), në kontrast me Italinë dhe Austrinë, ku 7 në 10 persona nuk e përdorin atë në vendin e punës.

Kur bëhet fjalë për Greqinë, 42% e grekëve pranojnë se kanë përdorur mjete të inteligjencës artificiale në jetën e tyre personale, në kontrast me pothuajse 6 në 10 që thonë të kundërtën. Në mbarë botën, 52% e njerëzve deklarojnë se nuk e kanë integruar atë në përditshmëri, me 96% të spanjollëve që e refuzojnë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat