Kosova Postuar më 29 Tetor 2025, 09:45

Rriten normat e interesit në Kosovë - Tregu financiar përballet me tkurrje kreditimi

Nga Kristi Ceta

Rriten normat e interesit në Kosovë - Tregu financiar përballet

Norma mesatare e interesit të bankave komerciale për kredi është rritur me rreth 15 për qind nga janari deri në shtator të këtij viti. Në janar norma mesatare e interesit ishte 6.01 për qind, ndërsa në shtator ishte 6.9 për qind. Por, në disa banka ajo ka shkuar deri në 10 për qind, në varësi të llojit të kredisë.

Të dhënat flasin edhe për rënie të vlerës së kredive të lëshuara në shtator. Në shkurt, vlera e kredive të reja ka qenë 230 milionë euro, kurse në shtator është tkurrur në 190 milionë euro.

Ekspertët shpjegojnë se rritja e normave të interesit lidhet me politikat e Bankës Qendrore, inflacionin dhe krizën institucionale. “Inflacioni i lartë shton edhe rrezikun e mospagesës nga qytetarët, sepse shpenzimet e tyre të përditshme janë më të larta. Kjo i shtyn bankat të kërkojnë kompensim më të madh të rrezikut dhe rrjedhimisht kamata më të larta. Inflacioni i lartë shton rrezikun dhe ul vlerën reale të kthimeve,” thonë ata.

Një ndikim të madh ka pasur edhe rritja e rezervave të detyrueshme që bankat duhet t’i mbajnë. “Deri këtë vit, bankat kishin minimumi 8 për qind ose 12 për qind kapital në raport me asetet e rrezikuara. Nga ky vit, BQK e ka rritur këtë në 10 për qind dhe 14 për qind. Në këtë rast bankat duhet të mbajnë më shumë kapital rezervë për çdo kredi që japin. Kjo do të thotë se kanë më pak hapësirë për të dhënë kredi të reja,” sqarojnë analistët.

Banka Qendrore njoftoi se ka vendosur një shtesë prej 2 për qind mbi asetet me rrezik. “Shtesat e kapitalit shërbejnë për qellim të fuqizimit të sektorit bankar, apo aftësisë së bankave për t’u përballur me rreziqe në situata të caktuara”, thuhet në një deklaratë të BQK-së.                                                                                                          

Sipas këtij institucioni, rritja e kreditimit në gjysmën e parë të vitit 2025 ka qenë më e përshpejtuar krahasuar me vitin paraprak, në veçanti në maj, kur kreditimi është rritur me rreth 21 për qind në raport me të njëjtin muaj në 2024.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat