Europa Postuar më 6 Shtator 2025, 12:20

A do të kërkojë Franca ndihmë nga FMN? - Financat publike po dobësohen dhe popullsia po plaket

Nga Lidion Kulla

A do të kërkojë Franca ndihmë nga FMN? - Financat publike po

Politikëbërësit francezë kanë diskutuar nëse vendi do të detyrohet të kalojë kufirin e borxhit që ka ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, nëse parlamenti vazhdon të rezistojë ndaj reformave buxhetore dhe të zvogëlojë totalin e borxhit. Aktualisht, financat publike të Francës janë lëmsh.

Parisi nuk ka qenë në gjendje të ulë huamarrjen që nga fundi i pandemisë, kështu që barra e borxhit publik po rritet me një ritëm të paqëndrueshëm. Përveç kostove në rritje për mbrojtjen, dixhitalizimin dhe tranzicionin e gjelbër, Franca po shpenzon gati 15% të prodhimit vjetor për pensionet, një sasi që pritet të rritet më tej ndërsa popullsia plaket.

Një qeveri që është në vështirësi financiare, zakonisht i kërkon ndihmë për kredi Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasi tregjet financiare refuzojnë t'i japin hua, sepse nuk mendojnë se ato do të kthehen ndonjëherë. Kjo ndodh përgjithësisht pasi një qeveri futet në borxhe të tepërta duke pasur deficite të mëdha buxhetore.

Por, FMN-ja i jep hua një vendi nëse ai pranon të miratojë reforma që eliminojnë deficitet e mëdha, sikurse ndodhi me Greqinë rreth 1 dekadë e gjysmë më parë. Padyshim, kjo kërkon vendime politikisht të dhimbshme, si rritje taksash apo shkurtime të shpenzimeve publike.

Franca ka tashmë barrën më të lartë tatimore në botën e zhvilluar, me gati 44% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2023. Por, pavarësisht kësaj shpenzimet kanë tejkaluar gjithmonë të ardhurat nga taksat, për thuajse 50 vjet. Deri në vitin 2030, FMN-ja llogarit se borxhi publik francez do të jetë sa 130% e PBB-së, dyfishi i asaj që ishte para krizës financiare në vitin 2008.

Gjithsesi, për momenti Franca nuk pritet të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sepse ka aftësinë për të marrë hua në tregjet financiare, pavarësisht se kostot janë rritur shumë. Edhe sikur kjo të ndryshonte, vija e parë e mbrojtjes do të ishte Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, që u krijua gjatë krizës së borxhit sovran të Eurozonës. Edhe Banka Qendrore Evropiane mund t’i jepte hua shuma të pakufizuara Francës, por vetëm në kuadrin e një plani reformash strukturore të dakordësuar me Mekanizmin Evropian të Stabilitetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat