Bota Postuar më 6 Shtator 2025, 10:53

“Zjarret po nxisin ndotjen e ajrit” - OBM paralajmëron pasoja të rënda për shëndetin dhe mjedisin

Nga Kristi Ceta

“Zjarret po nxisin ndotjen e ajrit” - OBM paralajmëron pasoja

Zjarret kanë kontribuuar ndjeshëm në ndotjen e ajrit vitin e kaluar, sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM). “Flakët janë një burim i përhershëm ndotësish në atmosferë,” tha Lorenzo Labrador, anëtar i Organizatës.

Trupi meteorologjik i OKB-së vuri në dukje se ekziston një lidhje e ndërlikuar midis cilësisë së ajrit dhe ndryshimeve klimatike. Djegia e karburanteve fosile, zjarret dhe veprimtaritë e tjera njerëzore si transporti dhe bujqësia lëshojnë grimca të imta të quajtura aerosole, që ndotin ajrin. “Cilësia e ajrit dhe ndryshimet klimatike duhet të trajtohen si çështje të ndërlidhura. Nuk mund të shqyrtohen veçmas,” tha Labrador.

Raporti, që fokusohet në cilësinë e ajrit në mbarë botën gjatë vitit 2024, evidentoi zona me ndotje të lartë në rajone të prekura nga zjarre të fuqishme, si pellgu i Amazonës, Kanadaja, Siberia dhe Afrika Qendrore.

Kushtet për shpërthimin e flakëve në vende si Amazona priten të përkeqësohen ndërsa ndryshimet klimatike përshpejtohen, sipas Organizatës Meteorologjike. Këto zjarre përbëjnë rreziqe gjithnjë e më të mëdha për shëndetin, pasi rrisin përqendrimin e aerosoleve në atmosferë dhe kontribuojnë në ndotjen e ajrit.

Dokumenti paralajmëroi gjithashtu se ndikimi i zjarreve të Evropës në cilësinë e ajrit mund të ndihet edhe përtej kufijve këtë vit. “Emetimet e forta nga zjarret në Gadishullin Iberik kanë potencialin të përkeqësojnë ajrin, jo vetëm mbi qytetet në Spanjë dhe Portugali, por edhe mbi pjesën tjetër të Evropës Perëndimore,” thuhet në raport.

Megjithatë, të dhënat reflektuan edhe disa sinjale pozitive. Kina Lindore ka shënuar rënie të ndotjes nga grimcat, falë masave të marra nga autoritetet përkatëse.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja e ajrit është shkaktare për mbi 4.5 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat