Shqipëria Postuar më 6 Shtator 2025, 11:25

Mësuesit nën rregulla të reja - Kodi i Etikës, përcakton kufijtë e sjelljes në shkolla

Nga Diamila Leka

Mësuesit nën rregulla të reja - Kodi i Etikës,

Teksa na ndajnë vetëm dy ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar Kodin e ri të Etikës për mësuesit. Ky dokument synon të përcaktojë parimet dhe rregullat e sjelljes etike dhe profesionale të mësuesve në institucionet arsimore parauniversitare.

Qëllimi i Kodit është garantimi i integritetit, profesionalizmit, paanshmërisë dhe përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës mësimore dhe edukative.

“Praktikat më të mira evropiane theksojnë rëndësinë e një kornize të qartë etike, që ndihmon mësuesit të përballen me sfidat profesionale me integritet, sidomos në një realitet arsimor që transformohet me ritme të shpejta nga teknologjia dhe zhvillimet sociale dhe ekonomike”, thuhet në Kodin e Etikës.

Në nenin 5 të këtij dokumenti theksohet se mësuesi duhet të përdorë gjuhë të qartë, edukative dhe motivuese në komunikim me nxënësit, duke ruajtur privatësinë dhe dinjitetin e çdo individi.

Po ashtu, mësuesi pritet të luajë një rol proaktiv në parandalimin e fenomeneve të dëmshme që mund të ndikojnë negativisht në edukimin dhe mirëqenien e nxënësve. Ai duhet të vëzhgojë, monitorojë, parandalojë dhe të ndërhyjë menjëherë në rastet e bullizmit apo të çdo forme dhune ose përjashtimi social brenda mjedisit shkollor, në përputhje me protokollet përkatëse.

Një tjetër aspekt i trajtuar në Kod është edhe ai i pamjes së jashtme dhe sjelljes së mësuesve në rrjetet sociale. Dokumenti përcakton se mësuesi duhet të ketë një veshje të rregullt dhe të kujdesshme, ndërsa përdorimi i stolive apo elementëve të tjerë dekorativë duhet të jetë i përshtatshëm për ambientin shkollor.

Përsa i përket pranisë në rrjetet sociale, theksohet se mësuesit duhet të tregojnë kujdes që postimet, fotot apo videot që shpërndajnë të jenë në përputhje me etikën profesionale dhe me rolin e tyre edukativ.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat