Bota Postuar më 11 Prill 2026, 12:33

Nafta e mbyll javën pranë 95 USD për fuçi - Realizon humbjet më të mëdha javore që nga viti 2022

Nga Lidion Kulla

Nafta e mbyll javën pranë 95 USD për fuçi - Realizon

Nafta e mbylli javën pranë 95 dollarëve për fuçi, për shkak të arritjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Megjithatë, tensionet janë prezente rreth Ngushticës së Hormuzit, pasi korridori jetësor i transportit detar, është ende i mbyllur. Nafta Brent e Londrës ra me rreth 1.3% të premten dhe e mbylli javën në 94.7 dollarë për fuçi. Nafta Bruto amerikane ra me 1.5% në rreth 96 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat kanë publikuar humbjet më të mëdha javore, që nga viti 2022. 

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin të heqë dorë, nëse po aplikon tarifa për kalimin e anijeve nëpër ngushticë, një veprim që rrezikon të minojë marrëveshjen dyjavore të armëpushimit. “Iranianët nuk po e kuptojnë se nuk kanë karta të fshehta, përveç zhvatjes afatshkurtër të botës duke përdorur Rrugët Ujore Ndërkombëtare”, tha Trump, në një postim në Truth Social.

Fluksi i transportit detar përmes Hormuzit, që trajtonte rreth 20% të furnizimit global me naftë përpara luftës, mbetet shumë i kufizuar, duke i mbajtur tregjet në ankth. Raportet e së premtes treguan se shumica e anijeve që kalonin nëpër ngushticë ishin të lidhura me Iranin.

Këshilltari kryesor ekonomik i Trump, Kevin Hassett, tha se kalimi i vetëm një cisterne nafte nëpër ngushticë do të siguronte një “pjesë të madhe të asaj që mungon”. Adrian Beciri, Drejtor Ekzekutiv i DUCAT Maritime, një firmë logjistike me seli në Qipro, e specializuar në transportin e mallrave me shumicë, tha se Ngushtica e Hormuzit mbetet praktikisht e mbyllur dhe qëndrimet e pronarëve të anijeve dhe operatorëve janë “saktësisht të njëjta sot” siç kishin qenë në kulmin e konfliktit.

“Sinqerisht, situata është jashtëzakonisht kaotike. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur ose të përcaktuar për të kaluar tranzitin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Madje nuk ka asnjë mënyrë të qartë për të kontaktuar iranianët se si ta bëjmë këtë, gjë që duket të jetë e vetmja mënyrë për momentin”, tha Beciri për CNBC.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat