Shqipëria Postuar më 11 Prill 2026, 10:51

Prezantohet Raporti i Zbatimit të Komunitetit të Energjisë (EnCS) për 2025 - Lorkowski: Progres në liberalizimin e tregut, është arritur 50% e objektivave

Nga Alida Lula

Prezantohet Raporti i Zbatimit të Komunitetit të Energjisë (EnCS)

Është prezantuar Rorti i Zbatimit të Komunitetit të Energjisë (EnCS) për vitin 2025, me temë “Rruga e Shqipërisë drejt integrimit energjetik evropian”.

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, bëri një panoramë të detajuar të progresit të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve në sektorin energjetik.

Në fjalën e tij, z. Lorkowski theksoi se prezantimi i raportit mbështetet mbi pesë shtylla kryesore të aktivitetit të Komunitetit të Energjisë: integrimin në treg, dekarbonizimin, sigurinë e furnizimit, përmirësimin e mjedisit dhe performancën e përgjithshme të sektorit.

Ai evidentoi disa arritje kyçe të Shqipërisë gjatë vitit 2025, veçanërisht në drejtim të liberalizimit të tregut të energjisë, ku vendi ka arritur rreth 50% të objektivave të parashikuara. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të transpozimit të legjislacionit dhe zbatimit të reformave strukturore në sektor.

“Jemi në gjysmën e rrugës sa i përket përmbushjes së angazhimeve ligjore. Fokusi ynë është të shohim përpara dhe të mbështesim procesin e reformave të rëndësishme që janë në zhvillim” - u shpreh z. Lorkowski.

Ai nënvizoi progresin në liberalizimin e tregut, duke theksuar përfshirjen e klientëve të rinj industrialë në tregun e lirë, një zhvillim që konsiderohet premtues për rritjen e konkurrencës dhe eficiencës.

Në lidhje me çmimet e energjisë, ai vlerësoi se, pavarësisht sfidave, çmimet e pajisjeve elektrike në Shqipëri gjatë vitit 2025 kanë qenë nën nivelin mesatar të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, çmimet për konsumatorët industrialë kanë mbetur të moderuara dhe konkurruese në raport me vendet e BE-së.

Z. Lorkowski theksoi edhe nevojën për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm për konsolidimin e tregut, përfshirë forcimin e instrumenteve mbrojtëse për konsumatorët dhe rritjen e transparencës në funksionimin e tregut.

Sa i përket sektorit të gazit, ai vlerësoi se procesi i harmonizimit me tregun evropian mbetet më kompleks, për shkak të mungesës së një tregu të zhvilluar të brendshëm, megjithatë u theksua se ky sektor është në fazë zhvillimi dhe paraqet potencial për të ardhmen.

Në aspektin e dekarbonizimit, Shqipëria është duke bërë përparime të qëndrueshme, e mbështetur në planin kombëtar të miratuar në vitin 2021, duke reflektuar angazhimin për tranzicionin drejt energjive të pastra dhe reduktimin e emetimeve.

Në përfundim, z. Lorkowski shprehu gatishmërinë e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për të mbështetur Shqipërinë në avancimin e mëtejshëm të reformave dhe në përshpejtimin e rrugëtimit drejt integrimit evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat