Bota Postuar më 11 Prill 2026, 11:19

Artemis II kthehet me sukses në Tokë - Qëllimi final, prania afatgjatë në Hënë për të eksploruar Marsin

Nga Lidion Kulla

Artemis II kthehet me sukses në Tokë - Qëllimi final, prania

Kapsula Artemis II dhe ekuipazhi i saj prej katër anëtarësh u ulën në mënyrë të sigurt në Oqeanin Paqësor, pas gati 10 ditësh në hapësirë, duke përmbyllur udhëtimin e parë të njerëzve në afërsi të hënës, në më shumë se gjysmë shekulli. Kapsula Orion e NASA, e quajtur Integrity, zbriti butësisht në ujë, pranë bregdetit të Kalifornisë Jugore, duke përfunduar një mision që i çoi astronautët më thellë në hapësirë, ​​se kushdo tjetër.

Artemis II përshkroi në total 694,392 milje apo 1,117,515 km, duke u rrotulluar dy herë në orbitën e Tokës dhe shkoi në anën e pasme të hënës, rreth 252,000 milje apo 400,000 km larg. Ky ishte fluturimi i parë testues me ekuipazh, në një seri misionesh të Artemis, që synojnë uljen e astronautëve në sipërfaqen e Hënes, duke filluar nga viti 2028.

Pjesë më kritike e misionit ishte hyrja në atmosferën e Tokës, pasi pjesa e përparme e kapsulës, për rreth 13 minuta gjeneroi një temperaturë të zjarrtë prej 2,760 gradë Celsius, duke ndërprerë njëkohësisht edhe komunikimin me radio me ekuipazhin.

Astronautët e Artemis arritën në 406,771 km larg Tokës, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej afërsisht 399,000 km të vendosur në vitin 1970 nga ekuipazhi i Apollo 13. Udhëtimi, që pasoi fluturimin provë pa ekuipazh të Artemis I rreth hënës, në vitin 2022, shënoi një provë kritike gjenerale për një përpjekje të planifikuar më vonë këtë dekadë për të ulur astronautët në sipërfaqen hënore për herë të parë që nga Apollo 17 në fund të vitit 1972.

Qëllimi final i programit Artemis është të krijojë një prani afatgjatë në Hënë, si një trampolinë për eksplorimin e Marsit nga njeriu.

Nëse bëjmë një krahasim me epokën e Luftës së Ftohtë të Apollos, misioni Artemis II është zhvilluar në një sfond trazirash politike dhe sociale, duke përfshirë konfliktin ushtarak të Amerikës në Iran, që ka rezultuar jopopullor në vend. Ndryshe nga epoka e Apollos, kur Shtetet e Bashkuara po garonin për të ulur astronautët në hënë përpara Bashkimit Sovjetik, programi Artemis po kërkon të mposhtë Kinën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat