Shqipëria Postuar më 11 Prill 2026, 10:45

Ndotja nga plastika në Vjosë dhe Ishëm - Mazreku: Masa konkrete, problem zbatimi i ligjit. Gangloff: Nevojitet qasje e integruar

Nga Ola Mitre

Ndotja nga plastika në Vjosë dhe Ishëm - Mazreku: Masa konkrete,

Ndotja plastike në lumenjtë Vjosa dhe Ishëm mbetet një nga sfidat kryesore mjedisore në vend, ndaj kërkohet kalimi nga analiza e të dhënave drejt veprimeve konkrete në terren. Gjithçka u theksua në Konferencën Kombëtare të organizuar nga Milieukontakt, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat, veçanërisht HoReCa.

“Situata në Shqipëri në fushën e menaxhimit të mbetjeve mbetet sfiduese. Ndonëse janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe politikave, në praktikë infrastruktura për ndarjen në burim, grumbullimin dhe riciklimin mbetet ende e kufizuar. Plastika, për shkak të përdorimit të saj të gjerë dhe degradimit shumë të ngadalë, është ndër ndotësit më problematikë. Shqipëria është gjithashtu një nga ekonomitë ku një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve mbetet e keqmenaxhuar. Kjo kontribuon në një kalim të lartë të mbetjeve plastike, shpesh të patrajtuara, në pellgun Adriatiko-Jonian, me rreth 20 kg për person në vit (2020). Kjo shifër tregon qartë se ndikimi ynë nuk kufizohet vetëm brenda kufijve kombëtarë, por shtrihet në ekosisteme më të gjera rajonale”, - tha Valbona Mazreku, drejtore ekzekutive e Milieukontakt.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri theksoi se mbrojtja e lumenjve dhe mjedisit detar kërkon një qasje të integruar, nga burimi deri në det.

“Shumica e ndotjes që prek detin dhe vijën bregdetare e ka origjinën larg bregut. Kjo është arsyeja pse një qasje e integruar “nga burimi, në det” është e nevojshme. Pra, kjo qasje pasqyron mënyrën se si funksionon politika mjedisore e BE-së dhe është gjithashtu modeli që Shqipëria po miraton si pjesë e rrugëtimit të saj evropian”, - tha Mr. Jean-Noel Gangloff, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Ndërkohë, zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli, vuri theksin tek rëndësia e të dhënave në hartimin e politikave efektive, por edhe tek kostot që lidhen me zbatimin e tyre.

“Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi realistë në lidhje me koston e lidhur me zbatimin e ligjeve mjedisore të BE-së. Kjo përpjekje kërkon investime të rëndësishme në infrastrukturë, kapacitete institucionale, sisteme monitorimi dhe fusha të tjera. Megjithatë, këto kosto duhet të shihen si një investim afatgjatë në shëndetin publik, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mjedisore”, - tha Gazheli.

Një nga pikat qendrore të konferencës ishte diskutimi mbi draftet e dokumenteve të politikave për dy basenet, të cilat evidentojnë se sfida kryesore nuk lidhet më me mungesën e legjislacionit, por me zbatimin e tij në praktikë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat