Shqipëria Postuar më 10 Prill 2026, 15:16

“Negociatat me BE-në po ecin normalisht” – Hoxha: Pyetjeve nga vendet anëtare i përgjigjet KE

Nga SCAN TV

“Negociatat me BE-në po ecin normalisht” – Hoxha:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se nuk ka asnjë bllokim apo ngrirje të procesit të negociatave, por është një proces që po zhvillohet normalisht.

Në një konference për shtyp, Hoxha bëri një shpjegim shterues të ecurisë së procesit të negociatave me Bashkimin Europian, duke i konsideruar pretendimet për bllokim të procesit si pjesë e diskursit politik.

“Nuk ka bllokim, ngrirje. Kjo është pjesë e dialogut dhe diskursit politik por nuk ka asnjë gjë të tillë. Ka një proces normal, racional, profesional dhe shumë kërkues. Është më kërkues për Shqipërinë se sa ka qenë për çdo vend që është futur në këtë rrugë para”, tha Hoxha.

Ndërkohë ministri sqaroi edhe pretendimet për mungesë transparence, duke theksuar se kjo ka të bëjë me pozicionet negociuese të Shqipërisë.

“Shqipëria për çdo hapje të grupkapitujve ka përgatitur pozicionin e vet negociues. Ky është një dokument i hartuar pas konsultimesh dhe një pune shumë serioze edhe në bashkëpunim me Komisionin Europian. Në vitin 2015 ne kemi miratuar një ligj ku përcaktohet se pozicioni negociues është i rezervuar. Kjo është respektuar dhe informacionet e rezervuara nuk bëhen publike”, sqaroi Hoxha.

Duke vijuar më tej, Hoxha theksoi se Komisioni Europian ka hartuar raportin të cilin ia ka dorëzuar Këshillit.

“Vende të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme. Është absurde dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vende anëtare të marrin një raport mbi gjendjen e një vendi dhe të mos bëjnë pyetje. Kjo periudhë pyetjesh mund të zgjasë nga 4 deri në 8 javë. Jemi ekzaktësisht në këtë proces”, tha Hoxha, ndërsa bëri të ditur se pyetjeve të vendeve anëtare i kthen përgjigje Komisioni Europian.

Hoxha theksoi se në këtë faze Shqipëria nuk është rreth tavolinës së negociatave pasi është vetëm KE që i jep përgjigje atyre pyetjeve.

“Duhet të kuptojmë natyrën e ushtrimit, kohën që kërkohet dhe faktin se ne jemi në pritje”, shtoi kryediplomati shqiptar.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat