Shqipëria Postuar më 31 Maj 2026, 10:22

''Albanian Digital Solutions'', Rama: Kapitull i ri për të ardhmen digjitale

Nga Scan TV


 

Prezantimin e një kompanie të re publike, “Albanian Digital Solutions”, kryeministri Rama e cilëson si fazën e re të transformimit dixhital të shtetit shqiptar. Sipas tij, pas ndërtimit të platformave dhe më pas digjitalizimit të mbi 1200 shërbimeve publike, të cilat jepen prej disa vitesh, tashmë drejtpërdrejt nga celulari apo kompjuteri përmes e-Albania-s, është hedhur një tjetër hap transformimi.

''Është një kompani publike që do të jetë një qendër ekselence për talentet shqiptare të teknologjisë dhe që do të mbulojë sferën publike të nevojave dhe të inovacionit në shërbimet publike, të inovacionit në qeverisjen e vendit në të dyja nivelet dhe të inovacionit në shërbim të një transformimi të jashtëzakonshëm. Sot kemi një rritje të ndjeshme të aplikimeve për programet e inovacionit. Mbi 1100 aplikime kanë ardhur vetëm në ciklin e fundit të granteve për programin “Startup Albania” dhe të gjitha këto na tregojnë se kemi fituar gradualisht një terren ku e kemi nisur edhe në këtë pikë nga fundi i fundit dhe sot kemi një vend në hartën europiane dhe globale të inovacionit për sa i përket sektorit publik, por kemi nevojë të shkojmë shumë më përpara dhe kemi nevojë të shkojmë shumë më përpara në sektorin privat'' - tha Rama.

Më tej ai foli edhe për shfrytëzim e të gjitha kapacitetet të reja të teknologjisë edhe në qeverisje, gjë që, faktikisht, sipas tij, ka nisur dhe do ta vazhdojmë me intensitet edhe falë kësaj ndarjeje të AKSHI-t në dy pjesë.


''AKSHI do të jetë drejtuesi, rregullatori dhe monitoruesi i cilësisë, ndërsa “Albanian Digital Solutions”, ADS-ja, do të jetë praktikisht truri që do të prodhojë në mënyrë të vazhdueshme zgjidhjet e nevojshme dhe, nga ana tjetër, do të garantojë mirëmbajtjen e sistemeve tona'' - tha kryeministri Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat