Bota Postuar më 3 Mars 2025, 15:11

Kina, masa të reja për të inkurajuar lindjet - Propozohet ulja e moshës së martesës për të frenuar “tkurrjen” e popullsisë

Nga Kristi Ceta

Kina, masa të reja për të inkurajuar lindjet - Propozohet ulja e

Kina propozon uljen e moshës ligjore të martesës për të inkurajuar lindjet. Ky është një nga propozimet që po shqyrtohet këtë javë nga Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez, një nga organet kryesore të qeverisjes së Pekinit.

Nisma, konkretisht, konsiston në reduktimin e moshës ligjore të martesës në 18 vjeç për të dyja gjinitë, në raport me 22 vjeç për burrat dhe 20 për grate që është aktualisht. Ideja vjen nga një profesor i ekonometrisë në Universitetin e Pekinit, anëtar i së njëjtës Konferencë, i bindur se kjo masë mund të ndihmojë në rritjen e lindjeve, të cilat kanë ardhur në rënie prej disa kohësh.

Në fakt, kjo çështje ka qenë në qendër të debatit publik prej vitesh në Kinë. Në vitin 2022, popullsia u tkurr për herë të parë në gjashtëdhjetë vjet dhe, sipas ekspertëve, rënia pritet të vazhdojë. Ky trend nuk nxitet vetëm nga kostoja e lartë e jetesës, por edhe nga faktorë socio-kulturorë, si zgjedhja për t'u martuar dhe për të pasur fëmijë në një moshë më të vonë.

Kufiri ligjor prej 22 vitesh për burrat dhe 20 për gratë u prezantua rreth vitit 1980, në lidhje me politikën e “vetëm një fëmije”, kur qeveria e Pekinit synoi të frenonte rritjen e popullsisë. Me kalimin e kohës, shoqëria kineze është mësuar të planifikojë me kujdes martesën dhe fëmijët, duke i dhënë përparësi studimit, punës dhe konsolidimit të pozitës ekonomike.

Sipas të dhënave të fundit, në vitin 2020 mosha mesatare në martesën e parë ishte rreth 29 vjeç për burrat dhe 28 për gratë. Për shumë vëzhgues, edhe nëse ligji e lejon martesën në moshën 18-vjeçare, nuk do të kishte gjasa që zakonet e konsoliduara të ndryshonin papritur: kostoja e lartë e arsimit cilësor dhe konkurrenca në tregun e punës në fakt po i nxisin të rinjtë të shtyjnë martesën dhe formimin e një familjeje.

Shumë njerëz mendojnë se pengesa e vërtetë e lindjeve nuk është mosha ligjore e martesës, por presionet ekonomike që rëndojnë mbi të rinjtë. Kostot e larta të rritjes së fëmijëve, nga kujdesi shëndetësor deri te tarifat e shkollë, dekurajojnë shumë çifte, veçanërisht në qytetet e mëdha, ku ritmi i jetës është i furishëm dhe strehimi është i shtrenjtë.

Të tjerë, megjithatë, kritikojnë hapur idenë e uljes së moshës së martesës, nga frika se rrezikon të "instrumentalizojë" popullatën e re, duke e konsideruar atë një burim lindjesh të reja në dobi ekskluzive të statistikave kombëtare. Propozuesi i masës u përgjigj se nisma e tij përfshin edhe sugjerime shtesë, si stimuj ekonomikë dhe forcimin e shërbimeve mjekësore kushtuar prindërve.

Sipas parashikimeve të shumë ekonomistëve, qeveria kineze do të vendosë një objektiv rritjeje ekonomike prej rreth 5%. Por ka shumë të panjohura: kërkesa e brendshme mbetet e dobët pas periudhave të gjata të kufizimeve shëndetësore dhe eksportet përballen me tarifa dhe tensione nga Shtetet e Bashkuara.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 17 Mars Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan duket që ka kaluar një fundjavë relativisht të qetë teksa vazhdon edhe këtë të hënë të blihet me 91 lekë dhe të shitet me 92 lekë sipas......