Shqipëria Postuar më 3 Mars 2025, 14:21

“Priten blerje të mëdha nga qytetarët” - BSH: Rritet besimi në ekonomi. Ndërtimi dhe shërbimet, të vetmit me rënie

Nga Ledina Elezi

“Priten blerje të mëdha nga qytetarët” - BSH: Rritet

Pas një rënieje në dy muajt e mëparshëm, besimi në ekonomi është përmirësuar gjatë shkurtit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 0.9 pikë në të gjithë sektorët e ekonomisë, me përjashtim të atij të shërbimeve dhe ndërtimit.

Konkretisht, besimi i konsumatorëve në ekonomi regjistroi rritje me 2 pikë përqindje në muajin shkurt, duke ndërprerë prirjen rënëse të dy muajve të fundit. Qytetarët e shohin me optimizëm situatën e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen, por edhe blerjet në shuma të mëdha. Konsumatorët presin papunësi dhe çmime më të ulëta në të ardhmen. Edhe treguesi i besimit në tregti u rrit me 3.2 pikë përqindje, ndikuar nga vlerësimet më pozitive të ecurisë aktuale të biznesit të tyre, por jo vetëm.

Nga ana tjetër, besimi në ndërtim është zvogëluar për herë të tretë radhazi. Në rënien e këtij treguesi ndikoi kryesisht vlerësimi më pesimist për aktivitetin aktual ndërtues. Pritjet për çmimet që do të vendosin ndërtuesit në të ardhmen, si dhe për punësimin, kanë regjistruar rënie.

Gjithashtu edhe treguesi i besimit në shërbime është tkurrur. Kjo për arsye të vlerësimeve më pak optimiste të bizneseve për nivelin aktual të kërkesës. Ndërkohë, edhe pritjet për nivelin e punësimit dhe ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Treguesi i besimit të industrisë u zgjerua me 1.1 pikë përqindje në muajin shkurt, duke iu rikthyer rritjes së treguesit pas tkurrjeve të katër muajve të kaluar. Kjo rritje u ndikua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe pritjet më optimiste për porositë nga eksportet.



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat