Shqipëria Postuar më 3 Mars 2025, 14:26

Bursa Shqiptare me çmime “të kripura” energjie - Janari shënon shtrenjtim me 68%, vlera e transaksioneve arriti në rreth 33.8 mln euro

Nga Ola Mitre

Bursa Shqiptare me çmime “të kripura” energjie - Janari

Rreth 115 mln mWh energji u tregtua në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike gjatë muajit janar të këtij viti, teksa vlera e transaksioneve përllogaritet në rreth 33.8 mln euro.

Sipas të dhënave të Tregut të Ditës së Avancë të raportuara nga ALPEX çmimi mesatar u regjistrua në 146.43 euro/mWh, një çmim 68% më i lartë se janari i vitit të kaluar. Krahasimi i çmimit i përket vetëm zonës ofertuese të Shqipërisë, pasi bashkimi i tregjeve energjetike Shqipëri – Kosovë nisi në muajin shkurt 2024.

Ndërkaq, ALPEX ka raportuar edhe shifrat e Tregut të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë, që nisën të zhvillohen në dhjetor të vitit të kaluar. Kështu, për muajin janar një volum total prej 794.33 mWh i energjisë elektrike u tregtua në këtë treg të ALPEX-it, me një çmim klerues mesatar prej 210.61 euro/mWh.

Vetë ALPEX e ka konsideruar nisjen e zhvillimit të ankandeve brenda së njëjtës ditë një arritje dhe hap të rëndësishëm përpara në tregun rajonal të energjisë elektrike, duke forcuar tregtinë ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve.

Sipas APLEX, tashmë Shqipëria dhe Kosova kanë dhe një mekanizëm shtesë tregu, të njëjtë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i vendosur këto tregje pararendës brenda Komunitetit të Energjisë.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ALPEX nisi operimet në datën 11 prill 2023, teksa funksionimi i saj paraqet një sërë avantazhesh, që lidhen me çmimet konkurruese, si dhe ofron një sinjal transparent të çmimeve për investime në energji.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat