Shqipëria Postuar më 25 August 2026, 12:49

Sektori i tregtisë “thith” më shumë kredi - BSH: Rritja e kreditimit u mbështet edhe nga bizneset në industri, ndërtim dhe shërbime

Nga Ledina Elezi

Sektori i tregtisë “thith” më shumë kredi - BSH:

Tregtia mbetet sektori që ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e kredisë për bizneset gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Ajo ka kontribuar me 6.1 pikë përqindje në rritjen totale, ndërsa kredia për këtë sektor përbën tashmë 46.2% të portofolit të kredisë për bizneset.

Pas tregtisë, kontributin më të lartë e ka dhënë industria, e mbështetur kryesisht nga financimi i investimeve, përfshirë ato në sektorin e energjisë. Ndërtimi ka kontribuar me 1.4 pikë përqindje dhe zë 21.7% të strukturës së kredisë, ndërsa pesha e shërbimeve është rritur në 16.1%. Në anën tjetër, bujqësia ka pasur një kontribut minimal dhe zë 1.3% të kredisë për bizneset.

Në total, kredia për bizneset u rrit me 11.6% në terma vjetorë në gjysmën e parë të vitit 2026. Edhe pse ritmi është më i ulët se kulmi i shënuar në fund të vitit 2024, ai tregon një zgjerim të qëndrueshëm të financimit, pas ngadalësimit të fortë të vitit 2023.

Bizneset e mëdha mbeten kontribuuesi kryesor në këtë rritje. Por edhe bizneset e mesme dhe të vogla kanë një rol të rëndësishëm, me kontribute përkatësisht prej 4 dhe 1.6 pikësh, që tregon se kredia po shpërndahet në një numër të gjerë ndërmarrjesh.

Ndërkohë, normat e interesit kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme. Për kreditë e reja në lekë, norma mesatare e interesit ishte 6.4%, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Për kreditë në euro, interesi shënoi një rritje minimale dhe arriti në rreth 6%.

Edhe kushtet e kreditimit kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara, me disa lehtësime të lehta për kategori të caktuara biznesesh. Në tërësi, kombinimi i rritjes së kredisë dhe niveleve relativisht të ulëta të interesit tregon se kushtet e financimit për bizneset mbeten akomoduese.

Një prirje e ngjashme vërehet edhe në vendet e rajonit, ku kredia për bizneset vijon të rritet me ritme dyshifrore, megjithëse në disa vende është shënuar një ngadalësim i lehtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat