FunData Postuar më 24 September 2026, 11:43

Ku paguhen gratë më shumë? Berati përmbys hendekun e pagave. Në Gjirokastër, favorizohen burrat

Nga Xhorxhina Deda

xhorxhinaa.png

Në debatin për pagat gjinore, zakonisht flitet për një panoramë të njohur, burrat fitojnë më shumë se gratë. Por të dhënat më të fundit rajonale tregojnë se Shqipëria nuk paraqet një panoramë të njëtrajtshme. Në qarkun e Beratit, ndodh e kundërta. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024, burrat paguheshin mesatarisht 3.2% më pak se gratë, duke e kthyer Beratin në rastin më të interesant në vend. 

Në anën tjetër të hartës është Gjirokastra, ku hendeku është më i theksuar në favor të burrave. Aty, meshkujt paguheshin mesatarisht rreth 12.4% më shumë se gratë, çka e bën këtë qark një nga shembujt më të fortë të pabarazisë gjinore në pagesë.

Berati paraqet një rast të veçantë edhe për nivelin e rrogave. Me një pagë mesatare mujore bruto prej rreth 63 mijë lekësh, ai ishte qarku me pagën më të ulët në vend. Burrat në Berat merrnin mesatarisht 62 mijë lekë në muaj, niveli më i ulët i regjistruar për meshkujt ndër të gjitha qarqet. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, gratë në këtë qark kishin një pagë mesatare më të lartë se burrat. 

Në anën tjetër të hartës është Gjirokastra. Edhe pse qarku kishte një pagë mesatare prej 72 mijë lekësh, mbi nivelin e disa qarqeve të tjera, ai paraqiste një diferencën më të lartë në favor të burrave. 

Të dhënat tregojnë gjithashtu se Tirana mbetet qarku me pagat më të larta për të dyja gjinitë. Burrat në kryeqytet paguheshin mesatarisht rreth 89 mijë lekë bruto në muaj, kundrejt rreth 84 mijë lekëve për gratë. Diferenca arrinte në 5 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, gratë në Durrës kishin pagën mesatare më të ulët në vend, me rreth 63 mijë lekë. 

Këto diferenca ngrenë pyetje mbi strukturën e punësimit në secilin qark. Pesha e administratës, industrisë, shërbimeve dhe sektorëve të tjerë, si edhe shpërndarja e grave dhe burrave sipas profesioneve, janë faktorë që duhen shqyrtuar për të kuptuar ndryshimet në paga.

pagaaaaa.PNG

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat