Rajoni Postuar më 24 September 2026, 11:20

Marrëveshja për qymyrin - Kurti dhe Mickoski dakordësohen për projektet energjetike dhe infrastrukturore

Nga Edel Strazimiri

kurti8.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në Nju-Jork me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ku në fokus ishte zbatimi i marrëveshjes për qymyrin dhe avancimi i projekteve të përbashkëta.

Rreth një muaj më parë dy vendet nënshkruan marrëveshjen 3-vjeçare të eksportit të qymyrit nga Kosova nënshkruar në gusht të vitit 2026. Vlera totale e këtij eksporti kap shifrën prej rreth 73.2 milionë euro, ndërsa qymyri do të përdoret nga termocentralet maqedonase për të prodhuar rreth 800 mijë MWh energji elektrike.

Dy kryeministrat diskutuan për bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe infrastrukturës, duke rënë dakord për vijimin e punës për projektet që synojnë forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe sigurisë energjetike.

Gjatë takimit, Kurti theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për realizimin e tunelit Prizren–Tetovë, të cilin e cilësoi të rëndësishëm për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomive të tyre.

Kurti rikujtoi gjithashtu se vetëm katër javë më parë kishte marrë pjesë së bashku me Mickoskin në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, deklaroi Kurti.

Sipas palëve, projektet e përbashkëta pritet të krijojnë lidhje më të forta ekonomike dhe energjetike mes dy vendeve.

Takimi u zhvillua në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat