Shqipëria Postuar më 24 September 2026, 11:55

Kredia studentore, sa kushton? - Mes kostos së jetesës dhe detyrimit pas studimeve

Nga Fabjona Pasho

Studentët, familjet e të cilëve nuk kanë mundësi të sigurojnë paratë për shkollimin e fëmijëve të tyre, mund të kërkojnë kredi studentore për të mbuluar tarifën e studimit dhe shpenzimet e jetesës. Por sa kushton në praktikë një vit universiteti për një të ri që duhet të jetojë larg shtëpisë?

Numbeo vlerëson rreth 62 mijë lekë në muaj për një person që jeton në kryeqytet, por pa përfshirë qiranë. Brenda kësaj shume përfshihen edhe ushqimi dhe transporti. Sa i përket transportit, të rinjtë e pajisur me kartë student në kryeqytet mund të marrin abone falas. 

Për banimin, shifra ndryshon në varësi të zonës ku studenti mund të marrë  një apartament me qira, nëse do e ndajë dhe me sa persona. Nëse dy studentë jetojnë bashkë, në një apartament 1+1 jo në zonë qëndrore, kostoja mund të shkojë nga 150 deri në 200 euro në muaj për person, ndërsa nëse vendosin të jetojnë më shumë se dy, kostot për banim ulen. Megjithatë, studentët të cilët duan të reduktojnë kostot e tyre, mund të zgjedhin si opsion konvktet, të cilat kanë një tarifë mujore rreth 4500 lekë në muaj. 

Në qytete të tjera universitare, veçanërisht banesa mund të kushtojë më pak për shkak të çmimeve të ndryshme të qirave. Edhe për një student që jeton në shtëpinë e familjes, kostoja nuk zhduket, pasi mbeten tarifat, transporti, ushqimi dhe materialet e studimit.

Kredia me interes të subvencionuar, sipas ofertave aktuale të bankave, jepet në lekë dhe pa kolateral, për studentët e përzgjedhur në skemë. Norma e interesit është 6% fikse,  shteti subvencionon 5 pikë përqindje, ndërsa pjesa e pambuluar nga subvencioni mbetet detyrim i studentit. Dokumenti parashikon që shlyerja të nisë pas periudhës së studimeve, sipas kohëzgjatjes së programit. Kjo nuk do të thotë se kredia është pa kosto. Pas diplomimit kthehet shuma e marrë brenda një afati të caktuar, njësoj si çdo kredi tjetër, bashkë me interesin që nuk është mbuluar nga shteti.

Bankat sqarojnë në websitet e tyre se për 600 mijë lekë kredi në një program trevjeçar, me dy vite shlyerje më pas, paraqitet një këst prej 31 mijë e 209 lekësh në muaj. Shifra është ilustrative për atë ofertë dhe atë plan shlyerjeje. Për studentin, pyetja nuk është vetëm nëse kredia i mbulon shpenzimet sot, por nëse të ardhurat pas diplomimit do t’i lejojnë të paguajnë kestin, pasi edhe pagat ndryshojnë në varësi të nivelit të eksperiencës dhe një I ri I sapodiplomuar e ka të vështirë të gjejë një punë të mirëpaguar. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat