Kosova Postuar më 7 November 2026, 10:18

Kosova aplikon për SEPA/ Një hap drejt BE, synon uljen e kostove të transfertave në euro

Nga Diamila Leka

Kosova aplikon për SEPA/ Një hap drejt BE, synon uljen e kostove

Kosova hedh një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar europian. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për përfshirjen e vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, SEPA. Anëtarësimi në këtë hapësirë pritet të sjellë lehtësira të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset, përmes transfertave ndërkufitare në euro me kosto më të ulëta, më efikase dhe me kushte më të favorshme.

Aplikimi vjen pas disa vitesh reformash për përafrimin e legjislacionit dhe rregulloreve vendase me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave. Në këtë kuadër, janë ndërmarrë ndryshime në Ligjin për Shërbimet e Pagesave, Ligjin për Bankat dhe legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Një hap paraprak ishte paraaplikimi i dorëzuar në tetor të vitit 2024, i cili hapi rrugën për konsultimet dhe vlerësimet me institucionet përkatëse evropiane. Procesi është shoqëruar edhe me mbështetjen teknike të Bankës Botërore dhe bashkëpunimin me institucionet vendore e ndërkombëtare. Dorëzimi i aplikimit nuk nënkupton pranimin automatik të Kosovës në SEPA. Dokumentacioni do t'i nënshtrohet tashmë një procesi shqyrtimi dhe vlerësimi nga autoritetet evropiane, për të verifikuar përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe rregullative. Vetëm pas një vendimi pozitiv do të vijojnë procedurat për përfshirjen e bankave dhe institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave.

Për Kosovën, ky proces merr rëndësi të veçantë për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike me vendet evropiane dhe peshës së remitancave, duke synuar lehtësimin e transfertave dhe forcimin e integrimit financiar me tregun e përbashkët evropian. BQK-ja synon që përmes këtij procesi të krijojë përfitime afatgjata për qytetarët dhe bizneset, duke e afruar më tej sistemin financiar të Kosovës me standardet evropiane.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat