Europa Postuar më 4 Korrik 2024, 14:30

Kamionët elektrikë në Gjermani - Vendi nis rrjetin e karikimit për të dekarbonizuar transportin

Nga SCAN TV
Kamionët elektrikë në Gjermani - Vendi nis rrjetin e karikimit

Qeveria gjermane nisi një projekt për të ndërtuar një rrjet mbarëkombëtar të karikimit të shpejtë për automjetet e rënda, pasi Berlini synon të dekarbonizojë sektorin e transportit deri në vitin 2045. Emetimet e gazit serë në ekonominë më të madhe të Europës ranë në nivelin më të ulët në 70 vjet në vitin 2023, por sektori i transportit ka dështuar vazhdimisht në përmbushjen e objektivave të tij klimatike.

Ndërsa sipas grupit të industrisë ACEA automjetet elektrike përbënin vetëm 1.5% të tregut të kamionëve të BE-së vitin e kaluar, Gjermania synon që rreth një e treta e transportit të saj të rëndë rrugor të fuqizohet nga energjia elektrike ose lëndë djegëse të prodhuara si metani sintetik ose hidrogjeni deri në vitin 2030. Një infrastrukturë gjithëpërfshirëse dhe miqësore për karikimin e kamionëve është thelbësore për të lehtësuar përshtatjen e shpejtë të tregut.

Sipas ministrit gjerman të ekonomisë, Robert Habeck, qëllimi është që kamionët të punojnë vetëm me energji elektrike të gjelbër. Nisma synon të krijojë një rrjet karikimi të shpejtë të lehtë për t'u përdorur për kamionët përgjatë autostradave. Kjo do të ndodhë në të njëjtën kohë me zgjerimin e rrjetit elektrik të vendit për të thithur më shumë energji të rinovueshme.

Rreth 350 lokacione do të pajisen me infrastrukturë të ngarkimit të shpejtë të përputhshëm me kamionët, me tenderë publikë për rreth 130 lokacione të planifikuara që do të zhvillohen në fund të verës.

Automjetet komerciale përbëjnë rreth një të tretën e emetimeve të gazeve serë në sektorin e transportit të Gjermanisë, pasi transporti i rëndë rrugor në distanca të gjata është furnizuar pothuajse ekskluzivisht me naftë, sipas të dhënave nga Agjencia Gjermane e Mjedisit - UBA të publikuara në mars.

Emetimet e dioksidit të karbonit për kilometër të kamionëve kanë rënë me pothuajse 8.4% që nga viti 1995 pasi kamionët u bënë më efikasë, por një rritje në transportin e mallrave ka rritur emetimet totale të CO2 në këtë sektor me 21%.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat