Europa Postuar më 26 September 2026, 12:06

Italianët iu shmangen taksave/ Rreth 30% e tatimpaguesve mbajnë gati 79% të barrës fiskale

Nga Dorian Koça

images - 2026-09-26T030559.707.jfif

Pabarazitë në shpërndarjen e barrës fiskale në Itali vazhdojnë të jenë të theksuara. Sipas të dhënave të Observatorit të Sigurimeve Shoqërore, rreth 30% e italianëve që deklarojnë të ardhura vjetore prej 29 mijë euro ose më shumë mbajnë afro 79% të tatimit mbi të ardhurat personale.

Të dhënat tregojnë se barra fiskale përqendrohet edhe më shumë tek shtresa me të ardhura më të larta. Rreth 8 milionë tatimpagues, ose 18.78% e totalit, deklarojnë të ardhura prej të paktën 35 mijë euro në vit dhe paguajnë rreth 65% të të gjithë tatimit mbi të ardhurat personale.

Në të njëjtën kohë, sipas raportit, 24.8 milionë italianë rezultojnë pa të ardhura të deklaruara dhe, për rrjedhojë, kontribuojnë pak ose aspak përmes këtij tatimi në financimin e shërbimeve publike dhe sistemit të mirëqenies. Në total, taksa mbi të ardhurat personale, së bashku me mbitatimet rajonale dhe bashkiake, arrin në pak më shumë se 216 miliardë euro.

Kostoja e sistemit të mirëqenies italiane është e konsiderueshme. Vetëm gjatë vitit 2024, shpenzimet për kujdesin shëndetësor arritën në 138.33 miliardë euro, ndërsa për ndihmën sociale u shpenzuan 180.5 miliardë euro. Në nivelin e qeverisjes vendore, shpenzimet për mirëqenien sociale arritën në 13.5 miliardë euro të tjera.

Sipas analizës së Observatorit, këto tre kategori përfaqësojnë së bashku rreth 325.27 miliardë euro. Në mungesë të kontributeve të dedikuara për financimin e tyre, shpenzimet duhet të mbulohen përmes të ardhurave nga taksat direkte dhe, në një masë tjetër, nga taksat indirekte.

Raporti evidenton kështu një nga çështjet kryesore të sistemit fiskal italian: një pjesë relativisht e vogël e tatimpaguesve siguron një pjesë shumë të madhe të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat, ndërkohë që financimi i shërbimeve publike kërkon burime të konsiderueshme. Të dhënat rikthejnë në qendër të debatit çështjen e shpërndarjes së barrës fiskale, nivelin e të ardhurave të deklaruara dhe mënyrën se si financohet sistemi i mirëqenies në Itali.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat