Shqipëria Postuar më 26 September 2026, 11:03

Bizneset, me më shumë borxh/ BSH: Raporti ndaj kapitalit rritet, por njëkohësisht edhe fitimet

Nga Ledina Elezi

-1000-0-biznes-financa.jpg

Bizneset shohin më shumë fitim, por edhe më shumë borxh. Shumica raportojnë se kanë operuar me fitim gjatë gjashtëmujorit të parë dhe presin që aktiviteti të vijojë me rritje, por krahas kësaj, edhe pesha e borxhit ndaj kapitalit është shtuar.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, 94% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë operuar me fitim gjatë periudhës. Edhe shitjet kanë shënuar rritje, ndërsa kompanitë presin një tjetër përmirësim të rezultatit financiar në gjashtëmujorin e dytë.

Por krahas fitimeve, bizneset po mbajnë edhe një nivel më të lartë borxhi.

Borxhi në raport me kapitalin ka arritur mesatarisht në 79%, nga 76% në gjashtëmujorin e mëparshëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shumica e bizneseve janë të mbingarkuara me kredi. 84% e tyre thonë se borxhi është më pak se gjysma e kapitalit, ndërsa vetëm 6% deklarojnë se huaja e tejkalon kapitalin.

Një sinjal pozitiv vjen nga pagesat. 31% e bizneseve raportojnë se kanë aktualisht hua të papaguara, por kjo peshë është ulur me 4 pikë përqindjeje në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar.

Pra, bizneset po marrin borxh, por një pjesë e tyre po e menaxhojnë më mirë pagesën e tij.

Edhe kostoja e këtij borxhi duket më e përballueshme. Për rreth gjysmën e ndërmarrjeve, pagesa e borxhit përbën deri në 20% të të ardhurave. Ndërsa për një pjesë tjetër, pesha e pagesave është edhe më e lartë.

Megjithatë, jo gjithçka është e lehtë për sipërmarrjet. Konkurrenca, rritja e kostove të prodhimit dhe gjetja e punonjësve të kualifikuar vijojnë të jenë ndër problemet kryesore.

Dhe kur vjen puna te financimi i ri, 39% e bizneseve thonë se nuk kanë mundësi të marrin kredi bankare gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm.

Kështu, bizneset raportojnë fitime dhe presin rritje, ndërsa në të njëjtën kohë përballen me një barrë më të lartë borxhi dhe vështirësi për të siguruar financim të ri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat